E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Paris, për takimin e IDU-së

Kryeministri Berisha udhëtoi dje nga Brukseli drejt Parisit për takimin e liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), i cili zhvillohet në datat 25-26 qershor. Në këtë takim, që mbahet një herë në tre vjet, marrin pjesë kryetarë të partive demokratike, demokristiane dhe të qendrës së djathtë nga 60 vende të botës. Këtë vit takimi do të zhvillohet me tematikën “Axhenda e Qendrës së Djathtë në shekullin XXI”. Së bashku me Kryeministrin Berisha në këtë takim merr pjesë dhe kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli.

Biberaj, edhe një post tjetër në KE

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, tashmë do të mbajë dhe postin e zv.presidentit të Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale (KRRIMI) të Këshillit të Evropës, komision që u konstitua në mbledhjen e zhvilluar së fundi në Strasburg. Z. Biberaj, i cili mban njëkohësisht edhe postin e zv.presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, bëri të ditur se “ky komision i ri u krijua nga bashkimi i Komisionit të Rregullores dhe Imuniteteve me Komisionin e Marrëdhënieve Institucionale të KE-së”. Të njëjtat burime bënë të ditur se “struktura dhe përbërja e tij u miratuan më parë në datën 15 mars në Paris, nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, po ashtu edhe nga vetë asambleja”.

“Në këtë komision, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, mban postin e zv.presidentit, me propozim të Presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, Luc Van Der Branded, i miratuar në mënyrë unanime nga grupi parlamentar i PPE-së në KE”, - bën të ditur njoftimi zyrtar. Pas mandateve të zv.presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, si dhe zv.presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, ky është mandati i tretë për deputetin shqiptar, Biberaj, njëkohësisht edhe kryetar i Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Z. Biberaj ndodhet në Strasburg ku po merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po zhvillon punimet nga datat 23-27 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›