E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramoz Ruçi: Fatos Nano të rikthehet në PS

Një nga liderët e vjetër në PS thyen tabunë. Numri dy i kësaj partie, kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi, i bëri dje një ftesë publike për t’u kthyer në parti ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Kjo ftesë vjen në një kohë kur Rama e ka përjashtuar atë nga e ardhmja e kësaj partie. Një kthesë e rëndësishme kjo e drejtuesve aktualë të selisë rozë, kundrejt “të padëshiruarve” të PS-së. Tre vjet pas largimit nga PS-ja dhe në prag të zgjedhjeve të 2009-ës, Ruçi ftoi Nanon që të bëhet pjesë e PS-së dhe debatet t’i zhvillojë brenda saj dhe jo në mënyrë mediatike. Gjatë një interviste për Vizion Plus i pyetur për figurat që janë lënë në hije nga PS-ja, numri dy i partisë pohoi se Nano është pjesë e familjes së tij politike, madje, asnjëherë nuk janë shkëputur marrëdhëniet me të, qofshin politike, miqësore dhe familjare. “Sigurisht, unë mendoj që unë me pjesëtarët e mi të familjes sime politike asnjëherë nuk i kam ndërprerë marrëdhëniet e mia miqësore, njerëzore, familjare dhe politike. Kështu që edhe herë tjetër kam theksuar se problemet që ka një familje politike është mirë që mos t’i bëjë dhe mos t’i lërë thjesht këto komunikime dhe të gjitha rrafshet t’i realizojë nëpërmjet ekraneve televizive dhe faqet e gazetave”, - deklaroi kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Ndërsa në lidhje me figura të tjera të partisë, ai përsëriti thuajse të njëjtën ftesë duke komentuar se mbi të gjitha PS-ja është një parti së cilës nuk i mungon demokracia. “Vetë Partia Socialiste në radhë të parë ka një demokraci dhe një luajalitet të plotë në vite, kështu që asnjë nuk është i tepërt. Sigurisht që jemi në demokraci. Zgjidhje individuale kanë plot për të bërë aktorë dhe faktorë të ndryshëm, brenda apo jashtë Partisë Socialiste”, - shtoi më tej ai. Për herë të parë, është Ruçi ai që flet për figurat e lëna në hije që kur në krye të kësaj partie erdhi Edi Rama. Ruçi pranoi që ata janë anashkaluar dhe guxoi t’u bëjë ftesë që të kthehen në PS, përfshi këtu edhe Fatos Nanon.

Marrëdhënia me aleatët

Njëkohësisht, numri dy i selisë rozë komentoi marrëdhëniet më të fundit me aleatët e veçanërisht me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ai i bëri ftesë për bashkëpunim edhe Ilir Metës. Madje, pranoi se rrezikohet fitorja e së majtës nga përçarja me LSI-në. “Ftesa për një koalicion para, gjatë dhe pas zgjedhjeve është permanent nga Partia Socialiste. Lidershipi i Partisë Socialiste me gjithë turin e dialogut me Shqipërinë, kërkon një koalicion jo vetëm me aleatët tanë tradicionalë, por edhe me aleatët të rinj, dhe pse jo, jo vetëm me aleatët tanë, por me të gjithë shqiptarët, me qëllim që të marrë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes së këtij vendi”, - deklaroi Ruçi. Megjithatë ai nuk dha një përgjigje se përse sillet PS-ja në mënyrë të tillë me LSI-në duke sugjeruar se përgjigjja mund të gjendet te kjo parti. Ftesën për bashkëpunim Ruçi e sheh të përhershme, para fushatës gjatë saj dhe më pas qeverisje e përbashkët pas fitores. Njëkohësisht Ruçi dha një përgjigje edhe për sistemin zgjedhor që PS-ja e propozoi vetë, por në bazë të llogaritjeve paraprake del se nuk i fiton zgjedhjet në 2009-ën. Ai vuri në dukje se mbi të gjitha e rëndësishme është që shqiptarët të kenë një sistem zgjedhor të besueshëm. “Një nga arsyet që ne jemi iniciues dhe propozues të ndryshimit të sistemit të zgjedhjeve, ishte pikërisht në thelb edhe shqetësimi që përmban pyetja juaj. Të gjitha kalkulimet që ne kemi bërë, sigurisht që i bëjmë llogaritë për vete, por mbi të gjitha pas 17 vjetësh demokraci, përfundimisht Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një sistem politik dhe elektoral kredibël”, - tha Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›