E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, PD mbledh “Këshillin e të urtëve”

Dega e PD-së së Elbasanit mblodhi dje “Këshillin e të urtëve”, për të dhënë mendime rreth proceseve demokratike në vend. Deputeti dhe kryetari i kësaj dege, Aurel Bylykbashi, thirri dje në një takim "Këshillin e të urtëve" pranë kësaj partie për një bashkëbisedim rreth zhvillimeve e reja demokratike në qytet. I përbërë nga anëtarë dhe kontribuues të vjetër të PD, ky këshill do të ketë atributet e dhënies së mendimeve në lidhje me zhvillimet demokratike dhe përgatitjen e një platforme pune dhe angazhimesh të të gjithë demokratëve në këtë vit të fundit të qeverisjes së mazhorancës së djathtë dhe luftën për fitore në zgjedhjet e 2009-s. Bylykbashi është shprehur se “proceset demokratike dhe ndryshimet që kanë ndodhur në këto tre vjet qeverisje të PD-së dhe aleatëve të saj, i kanë hapur udhën përgatitjeve për një lëvizje të fuqishme deri në prag të zgjedhjeve të 2009-s. Unë i kërkoj “Këshillit të të urtëve” që të thonë hapur në sy, zhvillimet pozitive që kemi patur dhe janë arritur gjatë këtyre tre vjetëve. Duhet t’i bëjmë një analizë bashkërisht situatës në nivel lokal dhe të shkundemi nga plogështia e të përgatitemi për zhvillime të reja pozitive për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme”. Ky këshill do të jetë i atashuar pranë PD-së në Elbasan, i pasuruar edhe me njerëz të fushave të ndryshme, që do t’i paraprijnë lëvizjes së mësipërme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›