E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, sherr të ri për Rregulloren e Kuvendit



Partia Demokratike dhe ajo Socialiste i janë futur një debati të ri për sa i përket ndryshimit të Rregullores së Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e dekreteve të Presidentit. Sipas deputetit socialist, Besnik Dervishi, rregullorja duhet diskutuar më shumë dhe nuk duhet të miratohen ndryshime në mënyrë të përshpejtuar. Në kundërshtim të kësaj deklarate ka dalë deputeti i djathtë Fatos Beja, i cili tha se ndryshimet kanë si synim të rregullojnë marrëdhëniet mes institucioneve. “Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit duhet diskutuar gjerësisht dhe nuk duhet të hyjë në procedura të përshpejtuara. Rregullorja e Kuvendit ka vend edhe për mjaft rregullime të tjera, siç është reflektimi i ndryshimeve që janë bërë në Kushtetutë që lidhen me nenin 100, 101 dhe 109 të Rregullores së Kuvendit, ndaj dhe duhet t'i nënshtrohet një diskutimi mjaft të gjerë”, - tha Dervishi. “Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit synon funksionimin sa më të mirë të Parlamentit në marrëdhënie me institucionet e tjera. Kjo nuk është çështje e një partie apo e një mazhorance, por është një çështje për funksionimin e Parlamentit si institucion në bashkëveprim me institucionet e tjera”, - tha Beja. Në lidhje me propozimet e të dyja partive për rregulloren, palët ndahen në seancat dëgjimore që duhet të bëjë ose jo Kuvendi. “Propozimi ynë lidhet me emërimet që bën vetë Kuvendi i Shqipërisë për institucione mjaft të rëndësishme, si institucioni i Avokatit të Popullit, zgjedhja e 3 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku për fat të keq është një vend bosh për më shumë se 6 muaj, emërimet në të gjitha entet rregullatore që bëhen nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Ministrave, por natyrisht është edhe dhënia e pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës. Por në këtë rast, emërimi bëhet nga Presidenti i Republikës, ndërsa Kuvendi jep vetëm pëlqimin”, - u shpreh Dervishi. Nga ana tjetër, Beja informoi se brenda kësaj jave do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të marrë në shqyrtim amendamentin e propozuar nga ai vetë, për nenin 111 të Rregullores së Kuvendit. “Nga momenti që do të hyjë në fuqi rregullorja, çdo kandidaturë që do të vijë, do të kalojë në atë procedurë që do të fiksojë Parlamenti. Deri tani është synuar të fiksohen procedurat dhe kriteret, të cilat të çojnë në përzgjedhjen optimale sa më të mirë të mundshme të kandidaturave”, - tha Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›