E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Prishtinë, ndal hapin në simbolet kosovare

Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, si dhe vendosi në mënyrë simbolike firmën në monumentin e pavarësisë. Berisha shoqërohej nga kryeministri Hashim Thaci. 

PRISHTINE- Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryeministri Berisha i shoqëruar nga zonja e tij dhe delegacioni shqiptar dhe kryeministri Hashim Thaci zhvilloi homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, 2 kilometra larg qytetit të Skënderaj.
” Adem Jashari dhe familja e tij ra për të fituar pavdekësinë dhe ajo që është sot ngushëllim është pavarësia e Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Pas homazheve kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dhe një vizitë në kullën simbol të familjes Jashari që dha jetën për liri dhe pavarësi.

Pothuajse 52 pjesëtarë të familjes Jashari prehen në varrezat në Prekaz. Kryeministri Berisha vlerësoi se “Adem Jashari është tribuni i lirisë, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”.

Më pas axhenda e vizitës vazhdoi me një ndalesë në monumentin “New born”, struktura prej hekuri e vendosur në 17 shkurt të vitit 2008 në një nga sheshet kryesore të Prishtinës, si simboli i pavarësisë së Kosovës.

Në prani të shumë qytetarëve kosovarë, që kanë përshëndetur vizitën e Kryeministrit Berisha në Kosovë, kreu i qeverisë së Shqipërisë dhe zonja e tij, Liri Berisha, vendosën në mënyrë simbolike firmat e tyre në monumentin e pavarësisë.

“Neë born”, 3 metra i gjatë, 1 metër e lartë dhe me peshë 1 ton, u konceptua nga Fisnik Ismajli, 35 vjeç, specialist në fushën multimediale dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri ndodhet në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme ai zhvilloi një sërë takimesh me krerë të lartë të shtetit kosovar.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›