Berisha në Qytet Studenti Do të fitoj si në vitin 2005
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një tur elektoral nga Hasi e deri në Durrës, Manzë, Maminas, Shkoze dhe Qytet Studenti.
TIRANË- Sa më shumë i afrohemi datës së zgjedhjeve parlamentare, aq më shumë shtohen takimet politike me qytetarët e zonave të ndryshme të Shqipërisë.
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një tur elektoral nga Hasi e deri në Durrës, Manzë, Maminas, duke përfunduar me një takim në Qytetin Studenti. Nga ky vend, kryeministri Berisha ka premtuar se fitorja e PD-së do të jetë e njëjtë me atë të 92-it.
"Në këtë shesh, 19 vjet më parë u ndesh Davidi me Goliathin. Davidi ishit ju, Goliathi ishte diktatura më e egër në Europë. Ju e gjunjëzuat atë.
Pas 19 vitesh, 3 javë me parë, në këtë shesh, u shfaqën si kapuçonë bijtë e etërve, që ne i përmbysëm pikërisht këtu. Ata më ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara, që shkojnë e rikthehen në batalionin e tyre.
Unë i them zotit Rama: Ja ku jam me këta student. Atë që u bëra etërve në vitin '92, atë që u bëra bijve në vitin 2005, do t'ua bëjmë sërish në vitin 2009, do t'ua bëjmë në vitin 2017",- tha ai.
Ndërkohë, premtimet elektorale të bëra në të gjitha takimet e tjera gjatë ditës së djeshme janë thuajse të njëjta, madje janë vazhdim i atyre të 4 viteve më parë, ujë 24-orë në ditë, rrugë të asfaltuara dhe rritje pagash.
Takimet me banorët karakterizohen nga inagurime rrugësh, spitalesh e ujësjellësish dhe premtime për rritje pagash, pensionesh, shërbimesh publike në të ardhmen, përkundrejt votës së lëshuar në favor të partisë dhe koalicionit tij.
Gjatë përurimit të maternitetit të ri të spitalit të Durrësit, Berisha i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u premtoi mjekëve, infermierëve dhe laborantëve se gjatë mandatit të dytë rrogat e tyre do të jenë më të larta se kolegët e tyre në gjashtë vende të Evropës.
Ai u ndal tek problemet që ka aktualisht sistemi shëndetësor, duke premtuar se në mandatin e ardhshëm, reformimi i gjithanshëm i këtij sistemi, do të jetë prioritet i programit elektoral të qeverisë së tij. Kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur edhe pyetjes së gazetarëve lidhur me grisjen e posterave dhe se a mund të ndikonte kjo negativisht në raportet ndërkombëtare.
"Unë mendoj se në tërësi fushata, përveç rastit shumë të dënueshëm dhe fatkeq të Katundit të Ri, është një fushatë që po ecën në standardet më normale.
Sërish thirrja ime është për të gjithë drejtuesit e partive politike, por edhe të gjithë militantëve është të heqin dorë nga çdo lloj gjesti intolerance.
Këtë duhet ta ketë çdo militant i secilës parti, sepse intoleranca vetëm të largon votën",- tha Berisha. Në Manëz, Kryeministri foli për pensionet e ish- minatorëve dhe të fermerëve.
"Kam ardhur sot këtu t'u jap fjalën ish-minatorëve të kësaj qyteze se, do të shkurtojmë me 5 vite moshën e pensionit të tyre dhe kjo do të ketë efekt prapaveprues për pensionet.
Për ju fermerë, në 4 vitet që vijnë pensionet tuaja do të barazohen 100 % me pensionet e qytetit",- është shprehur ai.
Ndërsa në inaugurimin e rrugës, që lidh zonën turistike Maminas-Gjiri i Lalëzit, ai ka theksuar se ndërtimi i rrugëve që të dërgojnë drejt bregdetit është domosdoshmëri për rritjen dhe zhvillimin e turizmit bregdetarë.
Në Shkozë, Berisha ka premtuar ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare, një qendër të re shëndetësore, si dhe përfundimin e regjistrimit të gjitha banesave të ndërtuara para vitit '91, legalizimin e të gjitha banesave në këtë zonë dhe kompensimin e plotë të pronarëve.