E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Berisha, pakt me Ramiz Alinë për të marrë PD-në

Kryetari i PDK-së u përgjigjet akuzave të Berishës: "Ai është kthyer në Nastradin"


LIBRAZHD- Një ditë pas akuzave të ashpra, që Kryeministri Sali Berisha adresoi në qytetin bastion të PDK-së, Vau i Dejës, për kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka, ka reaguar ky i fundit me të njëjtën monedhë.


Gjatë një takimi të zhvilluar në Librazhd, kryetari i PDK-së, Ndoka, ka deklaruar se Berisha është bërë i pabesueshëm, edhe për vetë PD-në. Fakt për këtë, sipas Ndokës, është edhe ardhja në PDK e anëtarëve dhe drejtuesve me të lartë të PD-së.


"Ai është një njeri që s'ka parime, s'ka moral, që bën marrëveshje me këdo, thjesht për të mbajtur dhe fituar pushtetin e tij personal dhe të familjes.


E kemi parë të bëjë marrëveshje dhe kompromise me parti të majta, që tashmë i ka dhe pjesë të koalicionit të tij. Ka ardhur koha që me votën tonë t'i ndëshkojmë këta politikanë problematikë, të ndëshkojmë partitë e vjetra dhe mentalitetin e kalbur të tyre.


Është koha për t'i dhënë mundësi vendit të ecë përpara, është koha për alternativa të reja",- tha Ndoka.


Ai theksoi se është pikërisht lideri demokrat, Berisha, i cili ka bërë marrëveshje me Ramiz Alinë, dhe është futur prej tij për të marrë drejtimin e PD-së, ka bërë marrëveshje me Fatos Nanon, duke krijuar një kosto shumë të madhe për vendin, si dhe ka bërë marrëveshje me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për ndryshimin e Kushtetutës në Shqipëri.


Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha e cilësoi kryetarin e PDK-së si të pabesë, duke u bërë thirrje qytetarëve të Vaut të Dejës se vota për Ndokën është votë për Edi Ramën.


"Një Kryeministër që në tre zgjedhje, bën tre deklarata të ndryshme, shpreh krizën jo vetëm si drejtues i PD-së, por edhe si politikan.


Në vitin 2001, kohë në të cilën unë drejtoja grupin parlamentar të reformatorëve, Berisha deklaroi se vota për Ndokën është votë për Fatos Nanon. Në vitin 2005, kur si koalicion u grupuam kundër së majtës në pushtet, Berisha deklaron se vota për Ndokën është votë për Sali Berishën.


Ndërsa sot, në një miting të zhvilluar po në zonën time elektorale, deklaron se vota për Ndokën është votë për Edi Ramën. Berisha është kthyer në një Nastradin, që me trillimet e tij kërkon t'u imponojë shqiptareve votën dhe lirinë e mendimit",- tha Ndoka.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›