E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PD, lista firmash në këmbim të vendit të punës

Kryetari i PS-së ka denoncuar gjithashtu gjendjen e shkretë të stacionit hekurudhor të Elbasanit. Akuza Bashës për abuzime me fondet


ELBASAN- Në vijim të turit të tij elektoral, kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte dje në qytetin e Elbasanit. Fillimisht, Rama është ndalur në stacionin hekurudhor të Elbasanit, ku prej vitesh qëndrojnë gërmadha vagonësh të vjetër. I shoqëruar nga kandidatët e PS-së për këtë qark, Kryetari i opozitës, është ndalur në këtë zonë për të sjellë edhe njëherë në vëmendje situatën e shkretë në të cilën ndodhet ky stacion.


Por gjatë kësaj ndalese nuk kanë munguar edhe barrierat, duke filluar nga rojet në hyrje dhe më pas me reagimin e drejtorit të stacionit hekurudhor, i cili ka pretenduar se nuk mund të bëhet deklaratë në këtë ambient.


"Jemi këtu për të treguar shembullin e një keqqeverisje nga Sali Berisha, i cili erdhi në Elbasan për të ripremtuar ripërtëritjen e këtij stacioni mjaft të rëndësishëm për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, por qëndroi në rrugën e vjetër të një transporti që tregon ende prapambetjen dhe imazhin e shekullit të kaluar.


Nga ana tjetër, Sali Berisha duhet t'u shpjegojë qytetarëve të Elbasanit lidhur me keqadministrimin e një pasurie, duke filluar nga humbjet e buxhetit të shtetit dhe në pronat tona të përbashkëta në fusha, plazhe, kodra, male, pyje, të cilat janë trajtuar si një pronë pa zot dhe janë bërë copa e çika nga korrupsioni i kësaj qeverie.


Ne jemi këtu për të dëshmuar këtë prapambetje të madhe të kësaj pjese kaq të rëndësishme për këtë qytet, i cili pas 28 qershorit do të jetë në vëmendjen tonë dhe bashkë me qytetarët e Elbasanit, ne do ta kthejmë këtë qytet në një qytet me një perspektivë të re, në një qytet me rrugë të reja dhe zhvillim pasi ky qytet meriton më shumë",- tha Rama. Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar Belul Dyrmishi, drejtor i stacionit hekurudhor.


"Kryetari i PS-së hyri në brendësi të këtij rajoni, hyri në ambientet e stacionit hekurudhor ku zgjodhi pjesën që i intereson, pa llogaritur ndryshimet që kanë ndodhur me rikonstruksionin e stacionit hekurudhor, rikonstruksionin e stacionit të Vidhasit dhe investime të tjera. Janë lëvruar rreth 100 milionë lekë për këto investime duke bërë të mundur një qendër zëri, rikonstruksion të brendshëm të stacionit dhe sheshin përballë", - tha Dyrmishi.


Por, Drejtori i stacionit hekurudhor, teksa ka radhitur ato që ai i ka cilësuar investime dhe përmirësime, harroi të përmendë një fakt të pakundërshtueshëm, që trenat vazhdojnë të jenë mjaft të amortizuar.


Ndërsa, i ftuar në një emision televiziv, Rama deklaroi se ekziston një trysni e paprecedentë ndaj administratës dhe njerëzve të thjeshtë, veçanërisht në Elbasan. Rama foli për fotografim votash dhe për lista firmash në këmbim të ruajtjes së vendit të punës.


Ai tha se mbrojtja e votës do të jetë kusht themelor për socialistët. Gjithashtu, ai u ndal edhe te kryesuesi i listës së demokratëve në Elbasan, Lulzim Basha. "Shpifjet dhe akuzat vjen e i bën këtu, sepse është i besuari i oborrit të familjes kryeministrore.


Nuk ka gojë dhe nuk mundet dot të akuzojë kryetarin e bashkisë, sepse ai është i akuzuari i madh i kësaj historie katërvjeçare abuzimesh. Në vend që të respektojë kryebashkiakun si qytetarin e parë, dhe të votuarin e bashkisë, ai sulmon me akuza boshe, që nuk qëndrojnë dhe të gjithë e dinë sa false janë", - tha ai. Më tej, Rama ka vijuar turin e tij të takimeve në Cërrik dhe në Belsh ku është takuar me banorë të zonës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›