Berisha në Shkodër: Situata drejt përmirësimit, kaskada nuk rrezikon

Shkodër, 11 janar NOA Kryeministri, Sali
Berisha mori pjesë sot në takimin e zgjeruar, të zhvilluar në prefekturën e
Shkodrës, me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, Komitetit
Ndërministror të Emergjencave, përfaqësues të shoqatave të prefekturave,
bashkive dhe komunave të vendit, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të
Armatosura, Policisë së Shtetit, deputetë të zonës, etj.
Ky takim kishte për qëllim solidaritetin dhe
koordinimin e mëtejshëm të punës për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga
përmbytjet e ditëve të fundit të zonën e Shkodrës e të Lezhës, si dhe
bashkërendimin e institucioneve për të mundësuar ndihmën ndaj banorëve dhe
stabilizimin e të gjitha pasojave e dëmeve materiale e ekologjike, deri në
normalizimin e jetës së banorëve në këtë zona.
Kryeministri falënderoi të gjitha vendet mike,
Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Francën, e të tjera, si dhe
institucionet ndërkombëtare, për ndihmën dhe soliditetin e treguar në
këto ditë të vështira.
Berisha siguroi se operacioni do të mbetet
tërësisht i përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e
tyre, duke mbetur me përparësi madhore në furnizimin dhe ndihmën me çdo nevojë
të të shpërngulurve dhe të atyre që nuk janë shpërngulur.
Për këtë, krye i qeverisë kërkoi që të
angazhohen në këtë proces të gjitha organizmat joqeveritare dhe ato fetare, për
aspektin humanitar të popullatës.
Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë,
por duhet ta çojmë atë në mënyrën më eficente tek të gjithë ata që kanë
nevojë, tha Kryeministri.
Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e
mbarë Shqipërisë se Korporata Energjetike e Shqipërisë, Ministria e
Energjetikës, ka bërë një punë jashtëzakonisht eficente.
Ato u përballën me situatën më të
jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe.
Ata që mund të akuzojnë për digat po u them
vetëm 2 fjalë, në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë
qenë ora e Shkodrës, sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të
sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur
pasojat më të pa parashikueshme në këtë mot të pa përsëritur në 100 vitet e
fundit.
Por digat dhe menaxhimi i tyre, bashkërendimi
i këtij menaxhimi me situatën në terren- ky veprim i bërë çdo orë, mbajtja si
parim kryesor sigurinë kombëtare, sigurinë publike, ka qenë një nga pjesët më
të rëndësishme të këtij operacioni tha Berisha i cili shtoi se e vërteta si
drita e diellit është se Korporata Energjetike ka zbatuar me përpikëri
rregulloren.
Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës se
nuk ekziston as edhe një rrezik i vetëm në funksionimin e të gjitha portave apo
tuneleve të kaskadës.
k.k/NOA