Shkodra pas përmbytjes, ISHP lejon konsumin e ujit

Tiranë, 11 janar NOA - Instituti i Shëndetit Publik deklaron se uji i pijshëm
në qytetin e Shkodrës është i konsumueshëm dhe niveli i tij i ndotjes, brenda
normave të lejueshme.
Pas analizave të kryera gjatë këtyre ditëve në rrjetin e ujësjellësit të
qytetit në lagjen Bahcallëk, specialistët e drejtorisë së shëndetit publik në
Shkodër kanë dhënë miratimin për hapjen e ujësjellësit të qytetit.
Ky ujësjellës qëndronte i mbyllur prej disa ditësh për shkak të situatës së
krijuar nga përmbytjet.
Sipas drejtorit të ISHP, Alban Ylli, nga monitorimi i zonës, situata e ujit
të pijshëm duket normale.
Bashkë me specialistët e shëndetit publik të qytetit ne kemi analizuar
prej disa ditësh nivelin e ndotjes në këtë ujësjellës e mendojmë se është në
normat e lejuara ndërsa përsa i takon sëmundshmërisë nuk kemi asnjë të dhënë për
ndonjë sëmundje, u shpreh Ylli.
Ndërkohë në komunat dhe zonat e izoluara nga përmbytjet vazhdon ofrimi i shërbimit
shëndetësor 24 orë.
Sipas burimeve zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, nga inspektimi i
zonave të izoluara nga përmbytjet nuk ka rritje të sëmundshmërisë ndërkohë që
vazhdon furnizimi me medikamentet e nevojshme për përballimin e situatës
emergjente.
b.m/NOA