E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Task-Force, të reformohet Fakulteti i Mjekësisë



Në takimin e radhës së Task-Forcës për Shëndetësinë, kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, çështja kryesore e diskutimit ishte Fakulteti i Mjekësisë dhe reformimi i tij.
Në kuadër të thellimit të reformave në sistem u diskutua roli i veçantë që kanë shefat e klinikave jo vetëm në diagnostikimin e trajtimin e pacientëve, por edhe në kërkimin shkencor, në përgatitjen e studentëve e stafeve si dhe në menaxhimin e sektorit që ata drejtojnë, ndaj dhe përzgjedhja e tyre duhet bërë konform kërkesave në rritje të kohës dhe standardeve më të larta. Pas diskutimeve të gjëra u përcaktuan mekanizmat e zgjedhjes së shefave të klinikave, u vendos që ky proces t`i nënshtrohet konkurrimit të hapur e ndërkombëtar si dhe shqyrtimit në komisionet e ngritura për këtë qëllim. Vendimi përfundimtar do të merret nga një bord i posaçëm. Në lidhje me kurrikulat e lëndëve që studiohen në dy vitet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, u vendos që krahas lëndëve të detyruara të përcaktohen edhe lëndët me zgjedhje. Berisha theksoi se lëndët me zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të nxitur talentin dhe dëshirat e studentëve, për t’u krijuar atyre mundësitë për thellimin e dijeve dhe të kërkimit shkencor në ato disiplina, për të cilat ata kanë krijuar preferencat më të mëdha gjatë viteve të studimit. Kryeministri u shpreh se reformat duhet të përfillin interesat, ëndrrat dhe opinionet e studentëve në çdo fushë të arsimit të lartë. Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit që lëndët me të drejtë zgjedhjeje të shtrihen në çdo degë, edhe në fakultetet e tjera, në programe masteri apo doktorature. Më tej në këtë Task-Forcë u diskutua çështja e rekrutimit të pedagogëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, rritjes së numrit të tyre, në mënyrë që raporti pedagogë-studentë t`i afrohet vendeve të OECD-së. Tërësia e këtyre hapave që po ndërmerren është në funksion të krijimit të Universitetit të Shëndetësisë, përgatitjes sa më të mirë të studentëve, mjekëve e personelit, ngritjes së nivelit kurativ e shkencor të klinikave e laboratorëve me qëllim final përmirësimin e kujdesit shëndetësor për popullatën.

Xhaçka: “Berisha mos të dëmtojë vizat, ne jemi të gatshëm për kompromis”

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi se dje Partia Socialiste është e gatshme për kompromis dhe se kryeministri Sali Berisha nuk duhet të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave. Deklarata e Xhaçkës ka ardhur si reagim ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, e cila tha se vendi nuk është në krizë. “Shqipëria është në krizë. Duhet zgjidhje për transparencën që të mos bllokohet integrimi i mëtejshëm i saj. Nëse Berisha është gati t’u djegë shqiptarëve edhe vizat për të mbajtur kutitë të mbyllura, ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje për transparencën e integrimin”, - u shpreh Xhaçka. Duke iu referuar deklaratës së Bregut, deputetja e PS-së ka theksuar se maxhorancën e sotme nuk e shpëton keqinterpretimi i deklaratave të ndërkombëtarëve.
“Dëgjuam sot (dje), si çdo ditë, justifikimin e radhës për krizën që sipas maxhorances nuk ekziston. I bëjmë thirrje Sali Berishës të ndërgjegjësohet se nuk mund të hidhet breg me breg me shpresën se do mund të kalojë lumin e krizës duke bërë sikur ajo nuk ekziston”, -tha Xhaçka. Ajo ka shtuar se inaugurimet e përsëritura të maxhorancës nuk e fshehin krizën qeverisëse. “As cirku qesharak me punë të inauguruara nga 4 herë e as shpifjet e sharjet për opozitën nuk mund të shtyhen e aq me pak mund ta shtyjnë këtë situatë duke e bërë zonjën Bregu zëdhënëse të Shteteve të Bashkuara, të cilat kane folur qartë siç po flet gjithë Europa”, - tha Xhaçka.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›