E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PD-së lobojnë brenda Grupit të PS-së për rrjedhje votash



Eljona Ballhysa
Burimet kanë bërë të ditur se deputetët e PD-së kanë ndërmarrë një fushatë lobimi me kolegët e tyre socialistë për t’i bindur për të votuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, ose 84 vota. Ndërkaq, PS-ja e ka bërë të qartë vendimin e saj politik që pa u zgjidhur ende kriza politike dhe pa u marrë në konsideratë kërkesat e PS-së për të realizuar transparencën e zgjedhjeve, nuk do të marrin pjesë në votimin e ligjeve të rëndësishme. Por, synimi i PD-së është që të krijojë përçarje brenda Grupit Parlamentar të PS-së dhe të shkaktojë rrjedhje votash. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një goditje e fortë për kreun e opozitës, në rast se deputetët do të dilnin kundër vendimit politik të Grupit. Madje, burimet kanë bërë të ditur se brenda radhëve të PS-së ka nga ata deputetë që po bëjnë presion për të votuar ligjet me 84 vota dhe veçanërisht ligjin për Gjykatën Administrative. Për këtë ligj po lobojnë shumë dhe grupet e interesit dhe veçanërisht grupet e biznesit, për të cilat është i rëndësishëm miratimi i këtij drafti dhe ngritja e Gjykatës Administrative. Por, përveç Gjykatës Administrative, në axhendën e punimeve të Kuvendit për datat 14 qershor deri më 29 korrik renditen një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe që pritet të mbahen peng nga opozita deri në realizimin e transparencës së zgjedhjeve. Draftet ligjore që kërkojnë miratimin me 84 vota janë ligji për Gjykatën Administrative, ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, ligji për Kodin Penal, ligji për Kodin Hekurudhor, për Kodin Doganor, Kodin Ajror, Kodin Rrugor dhe Kodin Detar. Një tjetër projektligj i rikthyer nga legjislatura e kaluar është projektligji për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Debati
Ndërkaq, në seancën e fundit parlamentare, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri të ditur qëndrimin e PS-së për të mos votuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar deri në zgjidhjen e krizës politike. “Grupi socialist mendon se ligji për Gjykatën Administrative absolutisht që duhet. Ky është mesazhi që kemi ne si opozitë për gjithë komunitetin e biznesit e për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuar prej kohësh në këtë projektligj. Por, as partnerët tanë ndërkombëtarë e as biznesi shqiptar nuk kanë nevojë për një padrejtësi të re. Nuk kanë nevojë për një ligj apo gjykatë politike, që në vend që t’u japë drejtësi, t’u krijojë probleme, pengesa dhe padrejtësi të tjera. Kjo është arsyeja që ajo që nënvizova qysh në fillim është që, veç këtij ligji, nga 22 apo 23 ligje që keni këtu, gati 10 apo 11 janë ligje kodesh që duan shumicë të cilësuar; që përsëri të çojnë te kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbushë misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri, madje edhe institucione të qëndrueshme, të vërteta kushtetuese të këtij vendi. Unë përsëri ju bëj apel edhe në këtë seancë që ta gjykoni me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy. Këtu opozita nuk është garnitura e maxhorancës, që çfarëdo që ju të nisni, ta bitisni. Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë, bashkëpërgjegjës me këtë qëndrim”, - është shprehur Ruçi. Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, reagoi pas deklaratës së Ruçit duke thënë se nuk ka krizë në vend dhe përsëriti qëndrimin e shumicës për t’iu përgjigjur çdo pretendimi të opozitës në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. “Ju kërkoni që ne të bashkëpunojmë dhe që të miratojmë një pakt. Po, zoti Ruçi, jemi plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht, i cili në fakt nuk është kusht, por është detyrimi ynë që të mos shkelim ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Jemi të hapur të bashkëpunojmë për të gjitha pretendimet dhe për të gjitha kërkesat normale dhe ligjore të opozitës”, - u shpreh Astrit Patozi.

Kushtetuta
Ligjet që miratohen me 84 vota:
Neni 81
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.

Kryeministri përshëndet 11-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Kryeministri Berisha përshëndeti dje 11-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar atë një datë historike për lirinë e kombit shqiptar. “11 vjet më parë, forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth 3-mujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe e çliruan atë nga një regjim barbar, çnjerëzor, një regjim i cili shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore, rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale, kopshte, një regjim që në javët e fundit të jetës së tij adaptoi politikën e tokës së djegur. Me sulmin ajror dhe tokësor Aleanca e Atlantikut të Veriut fitoi një dimension të ri në historinë e saj, dimensionin e mbrojtje së lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Kosovë, por edhe në tërësi. Ndaj, edhe unë sot dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj ushtrive të vendeve anëtarëve të NATO-s, qeverive të këtyre vendeve në tërësi, ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën në një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Europë”, - është shprehur Berisha.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›