E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Jemi të gatshëm që të arrihet një marrëveshje për transparencën”



Eneida Jaçaj
Partia Socialiste është e gatshme që të arrihet një kompromis me palën tjetër për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, me qëllim që edhe procesi për liberalizimin e vizave të mos rrezikohet. Kjo ishte përgjigjja e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, dje në një bashkëbisedim me gazetarët ndaj ndërkombëtarëve, të cilët e kanë vënë theksin te rreziku i cenimit të procesit të heqjes së vizave nëse nuk arrihet zgjidhja mes palëve. Përsa i përket draftit të Parlamentit Europian, lideri i opozitës nuk ka bërë asnjë koment për sa kohë nuk ka një marrëveshje, por ka ripërsëritur faktin për arritjen e një marrëveshjeje, e cila, nëse arrihet, do të miratohet në Tiranë.
Kompromisi
Kryesocialisti Rama ka bërë të qartë qëndrimin e Partisë Socialiste që të arrihet patjetër një marrëveshje me Partinë Demokratike për t’i dhënë fund krizës politike 11-mujore. "Marrëveshja, e cila është e domosdoshme për të kapërcyer krizën, është një marrëveshje që mund të ngrihet mbi një draft të miratuar bashkërisht mes palëve këtu në vend dhe pa dyshim falë kontributit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të palës së tretë, miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë", - u shpreh Rama.
Lideri i opozitës tha se maxhoranca mban përgjegjësitë e saj nëse nuk u bindet ndërkombëtarëve për t’i dhënë zgjidhje krizës duke u përfshirë në negociata. "Pala tjetër ka pjesën e saj të përgjegjësisë, e cila është edhe më e madhe për faktin se pala tjetër qeveris vendin, pavarësisht se me vota të vjedhura. Në funksion të detyrimit që rrjedh nga ajo përgjegjësi, i takon asaj të zgjedhë qasjen", - tha Rama.
Vizat
Procesi i liberalizimit të vizave po mbahet peng nga politika shqiptare. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhet të angazhohen seriozisht për të hasur një zgjidhje për transparencën. Dy ditë më parë, një zyrtar i lartë i Parlamentit Europian dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë deklaruar se nëse politikanët shqiptarë nuk arrijnë një marrëveshje, liberalizimi i vizave rrezikohet. Ndërkombëtarët kanë apeluar që dy forcat politike të mos e vonojnë zgjidhjen, pasi proceset integruese të vendit, duke përfshirë edhe anëtarësimin në familjen e madhe europiane, Bashkimin Europian, do të rrezikohen. Sipas kryesocialistit Rama, tashmë marrëveshja e imponuar nga të huajt është peng i maxhorancës. “Ne jemi gati të merremi vesh për të mirën e vendit, për liberalizimin e vizave që nuk duhet të pengohet nga kutitë e mbyllura, për demokracinë”, - theksoi kryesocialisti. Ndërkaq, Rama i bëri thirrje kreut të qeverisë të pranojë krizën dhe të ulet në tryezë për të gjetur zgjidhjen e ngërcit që ka mbërthyer vendin prej 11 muajsh. “E ftoj përsëri Berishën të dëgjojë zërin e arsyes, të pranojë krizën dhe të ulet për ta zgjidhur atë duke filluar nga transparenca”, - tha Rama.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›