Berisha në Varshavë: Së shpejti, Shqipëria superfuqi energjitike
Të djathtët evropianë e konsiderojnë Shqipërinë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha si një histori suksesi në kryerjen e reformave ekonomike. Para tyre z. Berisha vuri në dukje rëndësinë që do të ketë Shqipëria në tregun energjitik, pasi ajo ka potenciale të mëdha hidrike dhe një pozitë gjeografike kyç, si dhe shumë faktorë të tjerë ndihmues, që bëjnë që ajo të kthehet në një superfuqi të vogël energjitike në mbarë rajonin. Ai ftoi kompanitë e huaja që të investojnë në Shqipëri, pasi ata do të gjejnë terrenin e përshtatshëm për investime me premtimin se brenda 3 viteve Shqipëria do të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjitike në rajon. Z. Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e PPE-ve, foli dje në punimet e panelit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane, me tematikë “Potencialet dhe perspektiva ekonomike e sektorit të energjisë”. Të pranishëm në këtë tryezë ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave të Finlandës, z. Jynti Kasainen, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, njëkohësisht anëtar i Komitetit për Industrinë dhe Kërkimin Shkencor dhe Energjinë, z. Alerjo Dizal – Quadras, ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane të Kroacisë, z. Gordan Jandrokovic etj. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha foli për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushën e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe përdorimit të burimeve energjitike. Të pranishmit përgëzuan Kryeministrin Berisha për politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare nën drejtimin e tij, veçanërisht kohët e fundit, për sa i përket diversifikimit të burimeve të energjisë, në projektet për një infrastrukturë të re dhe moderne energjitike, për vizionin e qeverisë shqiptare për projektet rajonale të fushën e energjisë, si dhe për projektet për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ka Shqipëria, si dhe për synimin e qeverisë për ta kthyer vendin në një superfuqi të vogël energjitike në rajon, duke shfrytëzuar këto potenciale dhe pozicionin gjeografik të Shqipërisë. Drejtori i Qendrës për Studime Evropiane, z. Tom Hahnen, vlerësoi se në Shqipëri ka një situatë impresionuese zhvillimi vitet e fundit dhe për këtë. Ai e përgëzoi Kryeministrin Berisha për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare nën drejtimin e tij. Z. Hahnen shprehu bindjen se shumë shpejt Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues për energjinë, ndërsa theksoi se arritjet e suksesshme të reformave të qeverisë janë inkurajuese për të gjithë. Duke folur për situatën energjitike dhe projekteve në këtë fushë, Kryeministri Berisha u shpreh se një nga qëllimet kryesore të qeverisë shqiptare është diversifikimi i burimeve të energjisë, i cili është një potencial shumë i madh. Një tjetër qëllim gjithashtu është eficenca e energjisë, që është shumë e domosdoshme për suksesin në projektet në këtë fushë. Kryeministri tha se çështja e energjisë ka qenë një nga prioritetet e qeverisë që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005 dhe vazhdon të mbetet i tillë. Sipas tij, Shqipëria duhet të zbulojë burime të ndryshme të energjisë, duhet të zhvillojë dhe forcojë lidhjet e interkonjeksionit me vendet e tjera, si një vend i vogël dhe me treg të vogël. Kryeministri tha se puna në këtë drejtim tashmë ka nisur dhe rezultatet e para e kanë ndërruar situatën, veçanërisht për sa i përket sistemit të lidhjeve të interkonjeksionit. Ai përmendi këtu disa projekte si: lidhjen e re të interkonjeksionit me Malin e Zi, që është duke përfunduar, licencimin e 2 lidhjeve nënujore etj. Kryeministri merr pjesë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partive Popullore, i cili po zhvillon punimet në datat 29-30 prill në Varshavë të Polonisë.Në punimet e këtij Kongresi të Jashtëzakonshëm do të diskutohet gjerësisht për përmbajtjen e Manifestit për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian dhe hapjen e fushatës zgjedhore.Më shumë se 2700 pjesëmarrës ndodhen tashmë në Varshavë, ku mes tyre Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering. Në Kongres marrin pjesë liderë të shteteve dhe qeverive, si Donald Tusk, Francois Fillon, Angela Merkel, Kostas Karamanlis, Jan-Peter Balkenende, Jean-Claude Juncker, Silvio Berlusconi, Ivo Sanader, Nikola Gruevski, Mikheil Saakashvili, Janez Jansa, Mariano Rajoy. Kongresi do të udhëhiqet nga Presidenti i PPE-së, Wilfried Martens, dhe do të jetë një eveniment i rëndësishëm politik për të hapur fushatën zgjedhore dhe për të shpjeguar në elementë Manifestin, në përbërje të të cilit do të jenë propozime dhe ide të ndryshme në ndihmë të zgjidhjes së shumë problemeve të qytetarëve, veçanërisht në lidhje me krizën ekonomike botërore.