E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha të marrë parasysh këshillat e Brukselit për statusin

Deputetja e PS, Arta Dade i ka bërë thirrje Berishës të marrë parasysh këshillat e Brukselit për aplikimin e statusit të vendit kandidat në BE. Dade thekson se qeveria duhet të krijojë stabilitet politik në sytë e ndërkombëtarëve, pastaj të bëhet aplikimi në kushte më të përshtatshme, ashtu siç e ka kërkuar Brukseli. Dade vuri në dukje thirrjet e ndërkombëtarëve si Komisioneri Olli Rehn, por edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO- s Shefer, të cilët  ripërsëritën nevojën dhe domosdoshmërinë e seriozitetit për plotësimin e kushtit për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për rezultate në luftën kundër korrupsionit. Komisioneri Rehn, tha Dade ka tërhequr vëmendjen dhe për plotësimin e kushteve të tjera para aplikimit për statusin e vendit kandidat, duke rekomanduar se do të ishte e mençur të aplikohej pasi Shqipëria të garantojë gjurmë provash të dukshme dhe të forta të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe të garantojë se ka bërë reforma bindëse që lidhen me integrimin. Gjithashtu, Dade vuri në dukje se Komisioni Europian kërkon të shohë stabilitet politik të nevojshëm dhe pjekuri demokratike në mënyrë që Shqipëria të lëvizë drejt hapit tjetër. Paralajmërimi se këto detyra duhen marrë seriozisht në mënyrë që aplikimi të mos qëllojë mbrapsht, por të shtrojë rrugën për marrjen e statusit, duhet të ftohë pasionet dhe demagogjinë elektorale të Sali Berishës, u shpreh Dade. Sipas Dades, Berisha duhet tju garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo zvarritje të procesit për pajisjen e votuesve me kartat e identitetit.  Dade deklaroi se Sali Berisha ka privatizuar arritjet e gjithë shoqërisë shqiptare dhe për fat të keq procesin e integrimit në BE, jo vetëm që nuk e ka avancuar, por ai vetë është kthyer në element frenues. Këtë maxhorancë nuk e shpëtojnë dot nga dështimi i sigurt as bluzat e fëmijëve unë në NATO, as çjerrjet e dëshpëruara të zotit Berisha për ti mbushur mendjen shqiptarëve për sukseset e qeverisë së tij, u shpreh Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›