E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI, koalicion vetëm me PS, jo me Berishën

Lideri Meta në Fier, apel 320 anëtarëve të rinj: Koha për Veprim
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim në Fier me 320 anëtarë të rinj, të cilët morën kartën e anëtarësimit në LSI. Meta zhvilloi dhe një takim në një fabrikë në Fier, ku bashkëbisedoi për shqetësimet që kishin drejtuesit e këtij biznesi që mbajnë me punë dhjetëra familje fierake. Në këtë takim Meta shoqërohej nga Nënkryetari dhe deputeti i LSI- së, Dritan Prifti, Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, anëtari i Kryesisë së LSI- së Fatos Klosi, si dhe të tjerë drejtues të LSI- së në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Dritan Prifti shprehu optimizmin e tij për suksesin histori që LSI- ja do të ketë në qarkun e Fierit, duke dal forca e parë fituese. Lideri i LSI, Meta pasi falënderoi 320 anëtarët e rinj që i janë bashkangjitur LSI, bëri një apel se është Koha për Veprim. Ky është apeli, tha Meta, që bashkon gjithnjë edhe më shumë shqiptarët rreth LSI- së dhe koalicionit tonë dhe që bashkon me ne dhe gjeneratën më të re. Vendi ka nevojë për punësim, vendi ka nevojë për një drejtim me ambicie të mëdha, por edhe për ata që kanë dhënë prova që mund ta fusin Shqipërinë në rrugën e progresit, tha kreu i LSI- së, duke shtuar se sepse të rinjtë kanë nevojë për më tepër mundësi sesa ofrohen sot për të ardhmen e tyre, sepse shqiptarët kërcënohen në çështjet më jetike deri tek ekzistenca e tyre, pra duke vënë në rrezik edhe bukën e gojës. Sipas liderit të LSI-së, këto realitete kërkojnë veprime të menjëhershme, konkrete, të përgjegjshme që do integrojnë jo vetëm njerëzit pa përkrahjen e shtetit, por të gjithë shqiptarët. Është Koha për Veprim në mënyrë që ndryshimi të jetë i prekshëm, në mënyrë që ndryshimi të jetë vërtetë ai që do i bëjë shqiptarët jo vetëm të dëgjojnë fjalën ndryshim më shumë, por të jetojnë shumë më mirë, sesa dje, theksoi Meta. Lideri Meta duke folur mbi vlerat dhe mbi filozofinë e LSI- së theksoi se, LSI- ja është forca politike ka për të thënë më shumë se kushdo tjetër në zgjedhje e 28 Qershorit, dhe për të ardhmen. Është një forcë politike e re, një forcë politike gjithmonë në rritje në të gjithë vendin, është një forcë politike e cila ka një lidership të testuar në drejtimin e vendit, nënvizoi Meta, duke shtuar se LSI është një forcë politike, e cila ka kualitete të mëdha intelektuale dhe profesionale, por mbi të gjitha është një forcë politike që ka besim tek aftësitë dhe talentet e gjithë shqiptarëve. Gjithashtu, tha ai është një forcë politike që ka një program që dëshiron ti japë mundësi çdo të riu dhe te reje për të shpalosur këto aftësi dhe këto talente. Gjithashtu, Meta foli edhe për diversionet pa kripë të Berishës, i cili përpiqet të përçajë të majtën. Sipas Metës, LSI-ja nuk ka ndryshuar asnjë element esencial në politikat dhe qëndrimet e saj për të ardhmen. LSI-ja gjithmonë e ka bërë të qartë pa pasur frikë dhe pa pasur komplekse se është një forcë e majtë, një forcë progresiste. LSI nuk është e majtë për ti ndarë shqiptarët në të majtë dhe në të djathtë, por LSI- ja është e majtë se ka politika të qarta sociale dhe kohezion social, sikurse dhe integrim social që kanë nevojë shqiptarët, u shpreh Meta. Lideri i LSI- së, Meta ka hedhur poshtë të gjitha aludimet se LSI mund të bëjë koalicion me Berishën.LSI asnjëherë nuk ka rënë pre e diversioneve të Sali Berishës për të përçarë opozitën. Ne çdo ditë punojmë në mënyrë të sinqertë dhe pa ekuivok për fitoren e koalicionit që ne përfaqësojmë dhe që ne drejtojmë, tha Meta, duke siguruar se nuk ka pse të habitet askush, kur LSI theksoi për të disatën herë që në rast se nuk i fiton zgjedhjet vetëm me koalicionin e saj, do të bëjë koalicion me partitë e majta dhe konkretisht me PS- së. Lidhur me ndryshimin e Kushtetutës të datës 21 prill, Meta tha se qëndrimi i LSI- së për dhunimin e Kushtetutës, është i njëjtë. Gjithashtu, ai tha se nuk kanë ndryshuar as pikëpamjet për Kodin zgjedhor. Sipas Metës, ashtu sikurse u interpretua Kodi Zgjedhor, LSI e kishte paralajmëruar se do vinte në rrezik të madh standardin e zgjedhjeve që sot me të drejtë flasin dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›