E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe, debat me Topallin për shtyrjen e kërkesës për mocion me Berishën



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka akuzuar dje në seancë parlamentare kryetaren e Kuvendit për pengesa në zhvillimin e mocionit për debat me kryeministrin Berisha, për çështjen “Fazlliç”. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Braçe është shprehur se kryetarja e Kuvendit, në kundërshtim me rregulloren, nuk ka mbledhur ende konferencën e kryetarëve për të vendosur një datë për zhvillimin e seancës mocion për debat me kreun e qeverisë. “Më 8 tetor grupi i PS-së ka depozituar kërkesën për mocion për debat me kryeministrin Berisha për lidhjet e tij me shtetasin boshnjak, Damir Fazlliç. Nesër është 28 tetori dhe kanë ndodhur shumë gjëra të dukshme në shkelje të Kushtetutës, përveç asaj që parashikon Rregullorja e Kuvendit në nenin 98 të saj, siç është mocioni për debat, i cili kërkohet nga një grup deputetësh”, - është shprehur Braçe. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur as konferencën e kryetarëve dhe nuk ka vendosur asnjë datë se kur do të zhvillohet seanca. Ai theksoi se opozita vazhdon të jetë plotësisht e vendosur për ta realizuar këtë seancë, ku do të kërkojnë informacion nga kryeministri Berisha për lidhjet e tij me biznesmenin boshnjak, Fazlliç. “Jam i habitur se si ndodh kjo, jo për shkak se si ju shkelni rregulloren, sepse tashmë jemi mësuar me këtë, por se si autoriteti juaj del mbi autoritetin e kryeministrit. Pasi Berisha ka thënë këtu në seancë se pranon se do të dalë në mocion, madje premtoi se do të jetë seanca më e madhe e zbardhjes së krimit, pasi ai disponon dosje që do t’i bëjë publike”, - është shprehur Braçe. Pas tij ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila ka bërë të ditur se konferenca e kryetarëve është mbledhur, ndryshe nga sa deklaroi Braçe. Ajo tha se kërkesa për mocion i është dërguar qeverisë dhe pritet përgjigjja zyrtare e kryeministrit. Më tej Topalli premtoi se mocioni do të realizohet brenda afatit prej 30 ditësh në respektim të Rregullores së Kuvendit. “Kërkesa është depozituar më 8 tetor. Brenda tri ditëve ne kemi mbledhur konferencën e kryetarëve. Kërkesa ka kaluar në qeveri dhe do të presim përgjigjen. Mocioni do të bëhet brenda 30 ditëve. Këtë e ka thënë Sali Berisha dhe do të realizohet siç e thotë ligji. Nuk ka asnjë sipër ligjit, as në Parlament, as në qeveri e në asnjë institucion tjetër”, - është shprehur Topalli.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›