"Të vegjlit "kërkojne të hyjnë në lojën,Topi nuk pret Ndokë,Zogajn dhe Ngjelën
I përqendruar tërësisht në negociatat mes kreut të mazhorancës, Sali Berisha, dhe atij socialist, Edi Rama, Presidenti Bamir Topi refuzoi dje takimet me pretendues të tjerë për vjedhje votash. Bëhet fjalë për të larguarit nga aleanca me PD-në, ish-deputetët e saj Preç Zogaj, Nard Ndoka dhe Spartak Ngjela. Të tre aleatët e rinj të PS-së, tashmë pjesë e aleancës së majtë, dje paradite, në orën 11:00 mendonin se kishin fiksuar një takim me kreun e shtetit, Topi. Por gjërat rrodhën krejt ndryshe asaj që ata kishin menduar. Që të tre u refuzuan nga Topi dhe takimi i paralajmëruar nuk u zhvillua pavarësisht se disa media zunë vend para selisë së Presidencës në pritje të këtij takimi. Por njëri prej tyre, kryedemokristiani Nard Ndoka, konfirmoi për mediat se ky takim ishte shtyrë, pa i bërë të ditura arsyet. Dy ditë më parë, që të tre: Ndoka, Zogaj dhe Ngjela, ishin pjesë e tryezës së Edi Ramës me aleatët e rinj, nga ku iu vu një afat kreut të shtetit se nëse nuk zgjidhte sipas tyre krizën politike përmes hapjes së kutive, atëherë opozita do të rifillonte sërish protestat. Por të larguarit nga PD-ja pretendojnë se edhe atyre u janë vjedhur votat nga partia në pushtet gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për këtë arsye ata mendojnë të përfshihen në tryezën e bisedimeve pozitë-opozitë që ka ndërmarrë kreu i shtetit. Por siç duket, as ata vetë nuk e kishin parashikuar refuzimin e djeshëm të Presidentit Bamir Topi, i cili dje po merrej me fiksimin e takimeve që do të zhvillojë sot në zyrën presidenciale me ambasadorët e KE-së dhe Spanjës dhe më pas me kryesocialistin Rama dhe rreth mesditës, në orën 13:00 me Kryeministrin Sali Berisha. Në një kohë kur aleatët e rinj të Ramës duan përfshirje në tryezë, LSI-ja e Ilir Metës pavarësisht pretendimeve për vjedhje të votave nga PS-ja më 28 qershor, nuk ndihet e përjashtuar nga negociatat pozitë-opozitë me kreun e shtetit Bamir Topi. Për këtë fakt kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi: “Unë jam në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, të logjikshme, parimore dhe natyrisht kushtetuese që ndihmon në rikthimin e opozitës në Parlament, për një funksionim më aktiv dhe më të plotë të Parlamentit dhe në këtë drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur qartë në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive dhe çdo veprimi konstruktiv që shkon në këtë drejtim”.