E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në tryezë pranon humbjen, kurse bazës i thotë: PS fitoi



Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte dje në Vlorë, ku bëri një takim të hapur me median lokale. Megjithëse ka pranuar disa herë publikisht humbjen e zgjedhjeve, duke e theksuar madje fort në tryezën me Kryeministrin Berisha, pranë bazës socialiste ka preferuar të kundërtën. Siç njoftohet nga ky takim, Rama është shprehur se çështja e hapjes së kutive nuk është për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për të treguar realitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe në të ardhmen të mos përsëriten të njëjtat gabime që mund të jenë bërë në këto zgjedhje. Por më tej ai ka thënë: “Zgjedhjet janë fituar prej Partisë Socialiste dhe kjo gjë duket më së miri nga ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë, të cilat fshehin të vërtetën në brendësi të tyre”. Për sa i përket bojkotit, ai ka theksuar: “Nuk ndodh që PS të dorëzohet dhe të thotë që kjo e drejtë nuk ekziston dhe nëse kjo e drejtë do të vazhdojë të mohohet, Partia Socialiste do të vijojë të jetë jashtë Parlamentit pavarësisht deklaratave që mund të japë njëra apo tjetra palë”. Ai u shmang të fliste për Nanon, duke komentuar me ironi se do të ishte më mirë të flitej për Flamurtarin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›