E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rebelohet kryesia e PS-së, kërkon llogari nga Rama



Biseda 3-orëshe e kryetarit të PS-së, Edi Rama, me Kryeministrin e vendit ka ngjallur mosbesim në bazën socialiste, e cila po kërkon sqarim për qëndrimin e mbajtur në këtë tryezë. Rebelimi i parë kundër Ramës ka ardhur nga Durrësi, ndërkohë që kryesocialistit i është dashur të udhëtojë dje në Vlorë për të qetësuar bazën për bisedimet politike pozitë-opozitë. Ndërsa sot, pritet të jetë në Elbasan, pasi dega e këtij qyteti është gjithashtu dyshuese për bisedimet dhe vazhdimin e bojkotit nga PS-ja. Mbledhja e kryesisë së degës PS-së në Durrës, e cila ka zgjatur vetëm 15 minuta, ka qenë e mbushur me debate, sharje dhe fyerje mes dy grupimeve, pro dhe kundër liderit socialist, Edi Rama. Kreu i ri i degës, Edison Konomi, i emëruar nga Rama vetëm 7 muaj më parë, e ka pasur të pamundur të përballet me kundërshtimin e 6 prej anëtarëve të kryesisë, që kërkuan ardhjen e Ramës për të sqaruar lidhur me tryezën dhe refuzimin për të futur në Parlament deputetët e zgjedhur me votë. Sipas burimeve të gazetës nga dega e PS-së Durrës, mësohet se pas debateve, madje edhe fyerjeve mes palëve, të cilat ishin gati të rëndoheshin në përplasje fizike, kreu i degës, Konomi, i ka telefonuar z. Rama, duke kërkuar mendim nga ai për situatën e krijuar. Por përgjigja e liderit socialist ka qenë e prerë: “E njëjta situatë është edhe në Elbasan, do të shkoj atje, pastaj do të vij aty, qetësoji ata mor djalë, kot je kryetar ti aty!” Një tjetër arsye për këtë debat ka qenë anashkalimi që Rama u ka bërë atyre që mendojnë ndryshe në këtë degë, kur bëri takimin me median disa ditë më parë. Më shumë se gjysma e kryesisë së degës është ndier e fyer që nuk ishin ftuar në këtë takim. Dega e PS-së në Durrës gjendet prej afro 3 vitesh në një situatë kaotike dhe e përçarë. Kujtojmë këtu një peticion të afro 1600 anëtarëve dhe militantëve rozë, bashkangjitur të cilit ishin edhe ish-deputetët Bardhyl Agasi dhe Natasha Paço, ku kërkonin futjen në Parlament të deputetëve të zgjedhur me votë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›