E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kutitë”, Meta: Të ndiqet rruga gjyqësore



LSI-ja u sugjeron socialistëve të Ramës që për çështjen e kutive t’i drejtohet rrugës gjyqësore. Partia aleate e PD-së, LSI-ja e Ilir Metës, këmbëngul që në procesin e negociatave pozitë-opozitë me kreun e shtetit të mos trajtohen çështjet e gjykatave. Sipas kryetarit Ilir Meta, nuk mund të ketë negocim për vendimet e gjykatave, pasi çështjen e hapjes së kutive e kanë mbyllur institucionet e gjykatave. Ai vuri në dukje se “për hapje të plotë apo të pjesshme të kutive mendoj se nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën për sa i takon objektit të komisioneve hetimore parlamentare”. Ai përmendi se edhe Kryeministri Berisha u shpreh shumë qartë që është i gatshëm të pranojë gjithçka që ka të bëjë me raportet e opozitës me mazhorancën, por natyrisht çështjet të cilat janë gjykuar nga gjykatat, mund të ndiqen vetëm në rrugë të mëtejshme gjyqësore. “Çdo futje e politikës do të ishte një hap prapa për demokracinë dhe për shtetin ligjor në vendin tonë. Për çështje të tilla unë mendoj se kanë një rrugë e cila është rruga gjyqësore, megjithatë unë do të dëshiroja dhe një herë tjetër që të ecet në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje politike që respekton kuadrin kushtetues të vendit”, - u shpreh z. Meta. Ai pohoi më tej se opozita duhet të kuptojë se nga ana e mazhorancës ekziston vullnet për të arritur në zgjidhje politike, që konsiston në kompromisin, marrëveshjen që opozita të marrë vendet që i takojnë në Parlament përpara afatit të fundit kushtetues. Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta përshëndeti nismën e Presidentit për organizimin e tryezës së dialogut, si dhe e inkurajon atë për të bërë përpjekjet e tij për gjetjen e pikave të takimit që bëjnë mundur përfundimin e kësaj situate absurde dhe funksionimin normal të Parlamentit, në funksion të axhendës integruese qe ka vendi. "Jam në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, parimore dhe kushtetuese që ndihmon për rikthimin e opozitës në parlament", - theksoi Meta. Ndërsa vlerësoi dhe shprehu mbështetjen për qëndrimet e Kryeministrit Berisha në tryezë, Meta vuri në dukje se kreu i qeverisë ka mbajtur një qëndrim konstruktiv dhe ka vullnet për të zgjidhur të gjitha pretendimet e opozitës. “Duhet të jemi optimistë për tryezën e thirrur nga Presidenti. E inkurajoj Topin për përpjekjen e tij. Megjithatë, mendoj se jo çdo gjë është në dorë të Presidentit Topi, por duhet edhe pjekuri politike”, - theksoi Meta,

Ndërkaq, numri dy i qeverisë u shpreh për pretendimet e Partisë Socialiste se ka një rrugë që sipas tij, është vetëm gjykata.

Zv.kryeministri përsëriti apelin drejtuar opozitës për të kontribuar në zgjidhjen e ngërcit politik, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur qëndrimin e mazhorancës se asnjë zgjidhje nuk mund të dalë mbi vendimin e gjykatave. “Nuk mund të ketë zgjidhje mbi Kushtetutën e vendit”, - theksoi z. Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›