E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në qendrën e votimit: “Në këto zgjedhje do të fitojë çdo shqiptar



Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, votoi dje rreth orës 10:00 në Qendrën e Votimit Nr. 1728 të Njësisë Bashkiake Nr. 2 të kryeqytetit. Në një prononcim për mediat e shumta të pranishme në ambientet e qendrës së votimit, e cila ndodhet në Liceun Artistik në Tiranë, shumë pranë shtëpisë së kreut të PD-së, Berisha tha se në këto zgjedhje të lira dhe të ndershme do të fitojë çdo shqiptar. Më tej ai përshëndeti të gjithë shqiptarët dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në votime.
“Më lejoni të përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë ditë, në të cilën ata takojnë dhe vendosin fatin e tyre. U jap përshëndetjet më të përzemërta dhe thirrja ime është që të marrin pjesë masivisht në këto votime. I ftoj të shkojnë në qendrat e votimit familjarisht, por të votojnë individualisht. Unë kam bindjen se në këto zgjedhje të lira dhe të ndershme do të fitojë çdo shqiptar. Këto janë zgjedhje, në të cilat shqiptarët firmosin projektin e tyre europian”, - është shprehur Berisha. Ai ka gjetur rastin të përshëndesë vëzhguesit e huaj që kanë monitoruar procesin zgjedhor në të gjithë vendin.
“Së dyti, dua të përshëndes të gjithë vëzhguesit e huaj që na kanë nderuar me ardhjen e tyre për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve. Dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra e mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kanë ardhur nga të katër anët e dheut të votojnë dhe të ndikojnë me vendimin e tyre”, - është shprehur Berisha.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›