Presidenti Topi: “Zgjedhjet shënojnë një stad të rëndësishëm të demokracisë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka cilësuar zgjedhjet një stad të rëndësishëm të demokracisë në Shqipërisë. Gjatë paradites së djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe vajzat, Nada dhe Etida, votoi në qendrën e votimit të Njësisë Bashkiake Nr. 9 të kryeqytetit. Pas votimit në shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi”, presidenti Topi theksoi rëndësinë që kanë këto zgjedhje për zhvillimet demokratike në vend dhe objektivin e shqiptarëve për t’u integruar në BE. “Kam rastin që të jap një mesazh publik. Të gjithë duhet ta vlerësojnë këtë ditë të rëndësishme si një stad të ri të rëndësishëm të demokracisë, të gjithë duhet të marrin pjesë në votime! U bëj apel të gjitha partive politike që ta kalojnë këtë ditë me mesazhet e duhura! Ne duhet të demonstrojmë sot që jemi një vend që kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, që dëshirojmë ta konsolidojmë demokracinë dhe që të kemi mundësi pas këtyre zgjedhjeve që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, rruga drejt Bashkimit Europian të jetë një rrugë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt patjetër do të jemi pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe europiane”, - është shprehur Topi.
29 Qershor 2009