E Diel, 1 Nëntor 2026

Biks Aliu, zedhënësi i Ambasadës Amerikane: “Vëzhguesit, rol deciziv në garantimin e zgjedhjeve”



Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Biks Aliu, kërkoi dje që shoqëria civile të luajë një rol domethënës në garantimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Gjatë një aktiviteti ku u akredituan 5 mijë vëzhguesit vendorë, gjatë ditës së djeshme Aliu theksoi se roli i tyre në monitorimin e zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm. Gjatë fjalës së tij Aliu theksoi se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë ecurinë e mëtejshme të hapave integrues të Shqipërisë. “Shoqëria civile duhet të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ne amerikanët i kemi shumë qejf zgjedhjet, sepse në atë moment jemi të gjithë të barabartë. Secili ka një zë dhe secili ka një shans për të shprehur zërin tonë. Ju jeni vëzhgues dhe ju duhet të garantoni që çdo qytetar, në ditën e zgjedhjeve, do të ketë të drejtën për të shprehur vullnetin e vet”, - është shprehur zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Biks Aliu.
Kjo deklaratë u bë gjatë akreditimit të 5 mijë vëzhguesve vendorë dhe 450 vëzhguesve ndërkombëtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këta vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet që do të zhvillohen sot në mbarë vendin. Në ceremoninë e organizuar dje për këtë qëllim nga KQZ-ja, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane, Aliu, e ka quajtur shumë të rëndësishme praninë e vëzhguesve të huaj në Shqipëri. Më tej ai ka theksuar rëndësinë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si një ngjarje mjaft e rëndësishme për Shqipërinë dhe i kujtoi rolin e rëndësishëm që do të kenë vëzhguesit. “Vëzhguesit shqiptarë kanë nesër një rol të rëndësishëm, atë të garantimit të zgjedhjeve të lira”, - theksoi ai në fjalën e mbajtur me këtë rast.

28 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›