E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis numërimi, rezultatet paraprake në favor të së majtës

Atmosferë festive në të dyja selitë. Rama bën thirrje për të ruajtur qetësinë

Eljona Ballhysa, Shaban Sulçe

Numërimi i fletëve të votimit ka nisur dje pas mesnate në pjesën më të madhe të komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet e vendit. Rezultatet paraprake të procesit të numërimit, të publikuara nga “ECA-KRIIK”, por edhe nga kamerat on-line të vëzhgimit të KQZ-së në orët e para të ditës së sotme, flasin për një kryesim të lehtë të kampit të majtë të politikës. Në qarqet e Tiranës, të Kukësit, Durrësit, Gjirokastrës, Vlorës, Korçës dhe Beratit filluan të jepen rezultatet e kutive të para të votimit. Nëse në Kukës, Has, Durrës dhe Shijak kryeson Partia Demokratike, në qarkun e Beratit, të Korçës dhe Vlorës është vënë re kryesimi i së majtës. Edhe në kryeqytet raportohet për një avantazh të lehtë të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj. Fill pas hapjes së kutive të votimit në dy selitë qendrore atmosfera ka qenë festive.
Selia rozë
Grupi muzikor “West Side Family”, që ka shoqëruar kreun e PS-së, Rama, gjatë gjithë fushatës zgjedhore në mitingjet e ndryshme të zhvilluara në qytetet e vendit, ka mbërritur mbrëmë pas mesnate në selinë rozë. Militantë të shumtë të mbledhur në seli janë entuziazmuar dhe situata është ndezur. Kandidatë të ndryshëm, mbështetës të selisë rozë në këto zgjedhje, kanë festuar duke shprehur entuziazmin për fitoren e Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Madje pritja e rezultateve zyrtare është shoqëruar dhe me muzikë, me këngën e “West Side Family”, që është bërë kolona zanore e fushatës së Partisë Socialiste në këto zgjedhje, kënga “Çohu”.
Selia blu
Në orët e vona të mbrëmjes militantët e PD-së filluan festimet duke shëtitur me makina dhe flamujt e PD-së në sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, megjithëse ende nuk kishte nisur procesi i numërimit të votave. Edhe përpara selisë së PD-së, ku drejtuesit e kësaj partie kishin vendosur një monitor nga ku transmetoheshin direkt sondazhet e televizioneve të ndryshme, u mblodhën shumë mbështetës dhe militantë të kësaj partie. Ata shprehnin entuziazmin për rezultatet në favor të PD-së, të bëra publike nga tri sondazhe të ndryshme. Ndërsa drejtuesit e PD-së qëndruan të ftohtë duke mos dhënë mesazhe për fitoren, duke respektuar deklaratën e Berishës për të pritur me qetësi rezultatin zyrtar të KQZ-së.

Rama: “Ruani qetësinë, mos u besoni sondazheve se nuk janë të sakta”

Në një konferencë për shtyp të zhvilluar rreth orës 22:30, kryetari i PS-së, Edi Rama, bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe për të mos festuar për shkak të rezultateve të sondazheve, pasi ato nuk janë të sakta. “Jemi të detyruar të riflasim për exit-pollet duke ritheksuar se ky është eksperimenti i gabuar, në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Mjaftojnë 20 për qind të njerëzve që kanë refuzuar të përgjigjen për t’i përmbysur të gjitha këto rezultate, të cilat në kutitë e votimit janë absolutisht të përmbysura, por sikur të mos mjaftojë 20 përqindëshi i atyre që nuk përgjigjen, në tabela ka boshllëqe që i kalojnë kufijtë e qesharakes. U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të përfshirë në procesin zgjedhor të përqendrohen në përfundimin me sukses të transportit të kutive të numërimit dhe ta harrojnë se populli shqiptar mendon në mënyrë aq të cunguar sa ç’kanë llogaritur, për fat të keq, exit-pollet, të cilat do të hyjnë në histori si një farsë që i parapriu një momenti historik”, - është shprehur Rama dje në mbrëmje.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›