Berisha negociata me aleatët: Nuk ka takim me Ramën
Partia Demokratike ka përmbyllur turin e takimeve të së premtes me aletatët qeverisës, në kuadër të negociatave për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Grupi i PD-së i mandatuar për negociatat, nën drejtimin e lidërshipit Berisha ka përmbyllur bisedimet e sotme me një takim me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Pas mbarimit të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh se në dy takimet e fundit, si me Mediun ashtu dhe Idrizin u deshmua vullnet për një proces serioz dhe dinjitoz, që mund të marrë miratimin që në raundin e parë në Parlament.
“Zhvilluam takime me dy aleatët tonë të tjerë. Në takime spikati vullneti i qartë për të bërë përpjekjet më madhore si mazhorancë për një proces transparent, serioz, dinjitoz, për të bërë cdo përpjekje që procesi të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme në Parlament. Patozi dhe Spaho do të marrin gjitha masat për tu takuar me përfaqësues të së majtës, kreun e grupit parlamentar Ruci dhe të tjerë të mandatuar. Nëse mbizotron realizmi dhe vullneti për ti dhënë vendit në përputhje me Kushtetutën dhe mbështetjen e mundshme për ti dhënë vendit Presidentin e duhur, mund të zgjidhet që në raundin e parë. Nuk është folur për emrat”tha ai.
Kryeministri i vendit ndonëse ka bërë ftesë ndaj PS për takime në kuadër të negociatave për Presidentin, nuk e sheh domosdoshmërisht të nevojshëm takimin me Ramën, pasi sipas tij kjo mund të bëhet fare mirë përmes autorizimeve të përfaqësuesve nga të dyja palët.
“Me zotin. Rama pa u takuar fare kemi ndërmarrë reformat më të tella në historinë e vendit, nuk është show por është thelbi ajo që ka rëndësi për mua. Edhe për ndryshimet kushtetuese nuk bëmë takim, por u lamë fjalën veprave. Duhet të ecim me rezultate konkrete, rruga është e shtruar. Këto takime janë ndër më seriozet në 3 vitet e fundit, edhe takimi me zyrtarët e PD e PS do jetë në predispozitën tonë ndër më seriozët.” u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se gjatë takimit me Berishën nuk është hyrë në emra konkret, ndërsa shtoi se vendit i duhet një president konsensual, pasi Shqipëria po shkon drejt marrjes së statusit kandidat.
Idrizi tha se takimi i sotëm është një diskutim i vazhdueshëm i PDIU, ashtu siç ishte edhe takimi me opozitën.
“Ne parashtruam kërkesat tona, ne duam një President që të mbajë qëndrime të forta patriotike dhe kombëtare, si dhe duhet të shprehet qartë për çështjen çame”- tha ai.