Berisha nis negociatat, ska takim me Ramën

Idrizi, Berisha, Mediu dhe Meta
TIRANE- Kryeministri i vendit, Sali Berisha nisi sot negociatat me aleatët qeveritarë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë.
Menjëherë pas takimeve me aleatët, Ilir Meta, Fatmir Mediu dhe Shpetim Idrizi, duke folur per gazetaret, kryeministri Sali Berisha la të kuptohej se nuk do të ketë një takim te tij kokë më kokë me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Me zotin Rama pa u takuar fare, kemi ndërmarrë reformat më të thella në historinë e vendit dhe kjo nuk është show, por është thelbi ai që ka rëndësi për mua, uroj që të jetë kështu edhe për Ramën. Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese ne nuk bëmë një takim që tu deklaronim gazetarëve se ja çfarë mund të bëjmë ne, por ne ia lamë fjalën veprave, dhe uroj që kjo të vazhdojë. Nuk ekziston asnjë lloj problemi, veç se të ecim me rezultate konkrete, unë them që rruga është e shtruar. Të gjitha ndryshimet janë bërë pa ndonjë takim, por me autorizim të zyrtarëve.- tha Berisha.
Berisha i konsideroi këto takime si ndër më seriozet e viteve të fundit, ndërsa shtoi se edhe takimi i dy përfaqësuesve të PD-së me ato të PS-së për zgjedhjen e presidentit, do të jetë një ndër takimet më serioze.
Takimet e ditës së sotme, kreu i qeverisë i cilësoi si takime ku spikati një vullnet shumë i qartë, për të bërë përpjekjet më madhore si maxhorancë për një proces transparent, serioz dhe dinjitoz.
U takuam për të bërë përpjekje që procesi të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme në parlament. Në këtë kontekst, Patozi dhe Spaho do marrin të gjitha masat për tu takuar me përfaqësuesit e PS-së, kryetarin e grupit, Gramoz Ruçin dhe të mandatuarin tjetër zyrtarë të kësaj partie, që takimi të zhvillohet në selinë e Parlamentit. Unë mendoj se në rast se mbizotëron realizmi, vullneti për ti dhënë vendit në përputhje me kushtetutën, por me mbështetjen më të gjerë presidentin që meriton, kjo mund të realizohet dhe në raundin e parë.- tha kryeministri.
Takimin e sotme aleatët qeveritarë, kryeministri e cilësoi si një konfirmim të plotë të vlerësimeve maksimale të dy palëve për koalicionin e firmosur në vitin 2009, dhe qëndrueshmërinë e tij në përputhje me marrëveshjen.
Takimet e kryeministrit, Sali Berisha
Pas takimit me kreun e LSI-së Ilir Meta, kryeministri Berisha pati një takim me aleatin tjetër, kreun e PR-së, Fatmir Mediu dhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Kreu i PDIU-se, Shpetim Idrizi
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se gjatë takimit me Berishën nuk është hyrë në emra konkret, ndërsa shtoi se vendit i duhet një president konsensual, pasi Shqipëria po shkon drejt marrjes së statusit kandidat.
Idrizi tha se takimi i sotëm është një diskutim i vazhdueshëm i PDIU, ashtu siç ishte edhe takimi me opozitën.
Ne parashtruam kërkesat tona, ne duam një President që të mbajë qëndrime të forta patriotike dhe kombëtare, si dhe duhet të shprehet qartë për çështjen çame- tha ai.
Gjithçka po bëhet që të mund të kemi një president konsensual, i cili mundësisht të zgjidhet që në raundin e parë, perfundoi Idrizi.
Kreu i PR-se, Fatmir Mediu
Ndërsa kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një prononcim për mediat, pas takimit tha se do ti japim vendit një president kushtetues. Ndërsa vlerësoi negociatat, ai tha se presidenti i ri i vendit duhet të jetë fryt i një marrëdhënie të gjerë politike.
Kryeministri, Sali Berisha
Takim ne perputhshmeri te plote mendimesh me udhëheqjen politike të LSI, si aleati kryesor i PD në koalicion, e ka quajtur kreu i qeverise, Berisha takimin e sotem me Ilir Meten per zgjedhjen e presidentit.
U ra dakord që të bëhet cdo përpjekje në mënyrë që presidenti të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është mundësi reale, u ra dakord të vazhdojnë takime intensive për të bërë sa më shpejt vendin me kryetarin e shtetit të merituar.
Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha pas takimit me aleatin e tij Ilir Meta në të parin takim për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Berishës vullneti i kësaj maxhorance do të jetë që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitoz që mund të nderojë vendin në detyrën e tij.
Më pas do të kem takime me PS dhe PBDNJ. Takimet në nivelin e PS do të jenë në Kuvend dhe e ftoj Ramën të tregojë besim te bashkëpunëtorët, të mandatojë dy bashkëpunëtor në këtë drejtim- tha Berisha.
Kreu i LSI-se, Ilir Meta
Kreu i LSI-së, Ilir Meta në mbyllje të takimit me kreun e qeverisë, Sali Berisha për zgjedhjen e presidentit ka deklaruar se nuk është folur për emra konkretë, por për rëndësinë e procesit.
Nuk kemi biseduar për emra konkretë, por për rëndësinë e procesit, që të jetë i sinqerte dhe rezultativ. Në këtë drejtim mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar këtë proces mund të sjellë një dhe disa emra të pranueshëm më gjerë se maxhoranca aktuale në kuvend- tha Meta.
Sipas tij, për LSI-në nuk është i rëndësishëm të paragjykojë se nga nuk duhet të vijnë emrat, por vullneti për të pasur një president i mbështetur më gjerë se maxhoranca.
Në këtë drejtim shprehëm vendosmërinë e LSI për ti kontribuar këtij procesi që të jetë kushtetues, konstruktuv, konsensual, të bëhen përpjekjet që të zgjidhet me raundin e parë dhe të jepet një mesazh i pjekurisë politike të klasës sonë politike para qytetarëve që kërkojnë stabilitet dhe mundësi për zhvillim ekonomik e punësim, por edhe për ndërkombëtarët që në vjeshtë do bëjnë vlerësim për statusin- tha Meta.
Negociatat
Ne mbledhjen e mbremshme Kryesia e Partisë Demokratike mandatoi liderin e saj Berishen, si kryetar të negociatave me partitë e tjera. Pjese e e grupit te negociuesve jane edhe Astrit Patozi dhe Edmond Spaho.
“Do te behen negociata te ndershme, duke e perfshire edhe opoziten”- deklaroi Berisha gjate mbledhjes se kryesise., duke theksuar se maxhoranca qe drejton i ka te gjitha mundesite ta beje kete vend me president.