UNICEF, projekt për Shkollat e gjelbra

Pastrimi ambientit nga shkollat
UNICEF ka hartuar një projekt për ngritjen një rrjeti të shkollash të gjelbra, ku do të përshihen ato shkolla që në programin e tyre arsimor i kushtojnë vëmendje të veçantë aktiviteteve mjedisore.
Programi i UNICEF-it, i quajtur Shkollat e gjelbra është parë si një risi që do të nxitë ndryshimin në kulturën e shkollës në drejtim të kurikulës, duke investuar më shumë për mjedisin.
Në këtë program janë përfshirë deri më tani më shumë se 4000 mësues të shkollave 9-vjeçare në një proces trajnimi intensiv.
Gjithashtu, janë përfshirë 2500 nxënës në aktivitete të ndryshme në mbrojtje të mjedisit, si dhe janë zbatuar mbi 80 projekte të vogla mjedisore nga vetë shkollat e vendit.
Në kuadër të programit është përgatitur një udhëzues, i cili përcakton elementët kryesorë dhe kriteret që një shkollë të marrë statusin e Shkollës së gjelbër. AMC do të mbështesë botimin e këtij udhëzuesi, në të cilin përcaktohen hapat që do të ndiqen nga shkollat, strukturat dhe ecuria e procesit, certifikimi dhe ngritja e rrjetit, si edhe detyrimet e përfitimet që do të kenë shkollat nga përfshirja në këtë program. /E.L/