Berisha nga Danimarka: Nëse hapim kutitë, marrim mandatin e Fierit
Nëse do të hapeshin kutitë e 28 qershorit, demokratët janë të sigurt se do t’u rikthehej mandati i humbur i Fierit. Këtë pohim bëri dje që nga Danimarka kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, i cili po merr pjesë në samitin e ndryshimeve klimaterike. Sipas tij, numërimi i mundshëm i votave do të çonte në marrjen e mandatit të Partisë Demokratike në Fier. "Jam i sigurt se në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate", - bëri të ditur z. Berisha. Nga ana tjetër, Berisha e quajti paradoksal qëndrimin e opozitës për të bojkotuar Parlamentin, duke bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë kompromis me të lidhur me vendimet e gjykatave. Duke folur për BBC-në nga Kopenhaga, Berisha vuri në dukje se ai e inkurajon opozitën që të punojnë së bashku për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. "Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtëparlamentare, duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal", - u shpreh z. Sali Berisha. Ai përmendi ofertën e sinqertë që i është bërë opozitës për t’i dhënë fund bojkotit në interes të heqjes së vizave drejt zonës Shengen dhe integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Kryeministri kritikoi kreun socialist, Edi Rama, i cili, sipas tij, për interesa personale po mban peng hyrjen e opozitën në Kuvend. "Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në Parlament dhe e mirëpret", - shtoi ai. Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, kërkon me ngulm në deklarimet e tij të herëpashershme që zoti Berisha të pranojë të hapë kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit ose përndryshe duhet të largohet nga pushteti. Zoti Berisha tha se pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja, ai i ka bërë "publikisht thirrje zotit Rama që të dalin në një konferencë të përbashkët shtypi e të përshëndesin dhe të shprehin gatishmërinë për të punuar së bashku". Kryeministri pohoi se shumica është e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por e përjashtoi mundësinë e një kompromisi të mundshëm për kërkesën e opozitës që një komision parlamentar të hapë kutitë e votimit si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje. "Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave", - theksoi z. Berisha.