Prizreni pret KZAP’in

Votat me kusht, që pritet ta përcaktojnë Kryetarin e Prizrenit, nuk do të numërohen deri javën e ardhshme.
Në pritje të vendimeve të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zgjedhur t’i lë 1602 fletëvotimet për këtë komunë të paprekura në kuti.
“Numërimi i votave me kusht do të fillojë në ato komuna ku nuk ka asnjë ankesë nga KZAP’i, kurse për komunat tjera do të presim shqyrtimin e ankesave nga ky komision”, ka thënë të enjten Burim Ahmetaj, Koordinator i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Një ditë më parë, Ahmetaj ishte shprehur se fletëvotimet për Prizrenin do të numëroheshin gjatë të enjtes.
Shtyrja e numërimit të këtyre votave do ta thellojë edhe më tej ankthin e PDK’së dhe LDK’së, kandidatët e të cilave kanë shpallur fitoren në këtë qytet.
Bashkë me Prizrenin janë edhe 10 komuna tjera, të cilat do të presin vendimet e KZAP’it para se të numërohen votat me kusht, por në asnjërën prej tyre rëndësia e kësaj kategorie të votave nuk është më e madhe se në Prizren.
Ndërsa në 10 komuna tjera, ku nuk ka pasur ankesa, procesi i numërimit të votave me kusht ka filluar të enjten pasdite.
Përderisa presioni publik mbi numëruesit e votave dhe KQZ’në është rritur ditëve të fundit për shkak të pamundësisë që të shpallen rezultatet, Qendra e Numërimit është vizituar të enjten nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell.
Që të dy i kanë dhënë mbështetje punës së numëruesve dhe mbikëqyrësve të kutive të votimit dhe kanë kërkuar që t’u jepet kohë për përfundimin e punëve.
Komuniteti ndërkombëtar ka përshëndetur procesin zgjedhor në Kosovë duke vlerësuar të jetë zhvilluar në frymë demokratike dhe pa ndonjë problem të theksuar.
Në linjë me këtë vlerësim, Presidenti Sejdiu ka thënë se ankesat janë gjë normale në demokraci.
“Demokracinë e përbëjnë të gjitha veprimet dhe unë nuk do të paragjykoj asgjë për proceset që janë në shqyrtim. Janë obligim i institucioneve të vendit, sipas përgjegjësive që kanë në bazë të ligjit të japin përgjigjen më të mirë profesionale, prandaj nëse ka ndonjë gabim diku, në demokraci ai korrigjohet”, ka thënë Sejdiu.
Ndërsa Ambasadori Dell i ka quajtur të ekzagjeruara kritikat që i janë dhënë procesit zgjedhor, pas ankesave që kanë bërë partitë për parregullsi.
“Po flasim për probleme në 9 vendvotime nga mbi 2400. Është shumë më pak se 1 për qind e vendvotimeve. Të thuash se ka pasur probleme në më pak se 1 për qind të vendvotimeve nuk mund të thuash se ka pasur mashtrim masiv ose se kjo e zhvleftëson procesin. Është thjesht një teprim”, ka thënë Ambasadori amerikan Christopher Dell.
Deri në përfundim të afatit ligjor, KZAP ka marrë 82 ankesa për parregullsi të pretenduara në raundit e dytë të votimeve për kryetarë të komunave. Shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me Prizrenin dhe janë të bëra nga të dyja palët në garë (PDK dhe LDK).
Kryesuesi i KZAP, Tahir Rrecaj është shprehur se ekziston mundësia që në Prizren të ketë rivotim, qoftë në tërë komunën apo në ndonjë vendvotim të veçantë, nëse vlerësohet se ka pasur keqpërdorime të cilat do të mund të ndikonin në rezultat në favor apo në dëm të ndonjërit kandidat.