Bastexhinjtë, Kuvendi miraton ligjin
Kuvendi miratoi dje ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit dhe kazinotë, sipas të cilave, bastexhinjtë që denoncohen nga anëtarët e familjes, nuk mund të luajnë më në kazino. Nisma e re e qeverisë gjeti mbështetjen e deputetëve. Në këtë projektligj të miratuar përcaktohet se nëse njëri nga familjarët është i shqetësuar për njërin nga anëtarët e familjes së tij për kumarin, mjafton të bëjë një denoncim të noterizuar pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe bllokon menjëherë personin që të ushtrojë vesin e tij. Projektligji parashikon që kazinove dhe lojërave të fatit t’u jepen emrat e personave të denoncuar nga familjarët. Nëse ata shihen duke luajtur, atëherë kazinoja do të përballet me sanksione të rrepta financiare. Por nuk është vetëm kjo pikë. Krahas dërgimit të emrave nëpër kazino të bastexhinjve ordinerë, Njësia e Lojërave të Fatit do të publikojë në faqen e saj të internetit emrat e tyre. Kështu, nëse ata vijojnë me vesin e tyre, do të bëhen publikë. Një tjetër detaj i projektligjit është se tashmë asnjë person nën 18 vjeç nuk mund të shkojë dot në kazino. Çdokush duhet të mbajë me vete një dokument identifikimi. “Organizatorit të lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit persona nën moshën 18 vjeç. Organizatori merr masa të ndalojë të luajë në mjediset e lojërave të fatit një person mbi 18 vjeç, për të cilin ka një kërkesë me shkrim, të paktën prej njërit nga familjarët, i cili, për shkak të gjendjes ekonomike familjare, kërkon moslejimin e këtij personi, të hyjë në mjediset e lojërave të fatit. Kërkesa duhet të jetë e noterizuar dhe depozitohet pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Kërkesës i bashkëngjitet një kopje e certifikatës së gjendjes familjare. Pas marrjes së këtij denoncimi, NJMLF-ja njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Njoftimi publikohet edhe në faqen zyrtare të njësisë”, - thuhet në nismën e re ligjore të miratuar në Kuvend. Projektligji i ri parashikon edhe kushtet financiare dhe ligjore për të marrë licencë për kazino. Kështu, në rast se dikush do të hapë kazino në Tiranë, duhet të paguajnë 1 miliard lekë të reja ose mbi 10 milionë dollarë. Në zonën e Durrësit duhet 6 miliardë lekë ose diçka më shumë se 6 milionë dollarë, ndërsa në rrethet e tjera 3 miliardë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Për licencë kazinoje të madhe, Këshilli i Ministrave përcakton kushtet për garën e saj. Organizatori i basteve sportive paguan tatim për lojërat e fatit 5 për qind mbi vëllimin e qarkullimit, gjithsej, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave, por jo më pak se për 1 deri në 99 NIPT-e, 10 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari. Për 100 deri në 149 NIPT-e, 12 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari dhe mbi 150 NIPT-e, 14 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari. Projektligji parashikon gjobë deri në 5 milionë lekë të vjetra nëse një nga pikat e këtij ligji thuhet.