E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, letrat me vlerë, procesi rinis në janar

Pagesa me letra me vlerë për ndërtimin pa leje në proces legalizimi do të fillojë të kryhet masivisht në muajin janar të vitit tjetër, kjo, për shkak se administrata e Agjencisë së Legalizimeve është duke pritur aktet nënligjore për mënyrën e procedimit me bonot e privatizimit. Ligji i ri për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve do të shoqërohet me aktet nënligjore përkatëse nga Ministra e Financave, e cila do të përcaktojë procedurën në lidhje me mënyrën e pagesës me letra me vlerë. Mësohet se ALUIZNI do të bashkëpunojë me bankat private për të kryer këtë proces, ndërsa nga ana tjetër, qeveria do të bëjë rishpërndarjen e bonove të privatizimeve që kanë mbetur në fondet e investimeve si Anglo-Adriatika. Agjencia e Legalizimeve gjatë kësaj periudhe ka nisur shqyrtimin e ndërtimeve informale në proces legalizimi që mund të paguajnë deri në 50 për qind të vlerës së tarifave me letra me vlerë. Sipas ligjit, ndërtimet mbi 300 metra kanë të drejtë të paguajnë me letra me vlerë. Mungesa e udhëzimit në treg për shpërndarjen e bonove të privatizimit, por edhe një mungesë interesi të qytetarëve ka shkaktuar një ulje të vlerës në treg të bonove të privatizimit. Ndërsa në muajin gusht, vlera e bonove arriti deri në 20 për qind, aktualisht në tregun valutor ato blihen vetëm me 7 për qind. Në javën e fundit vlera e bonove ka rënë me disa për qind, kjo për shkak se pas hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e tyre në procesin e legalizimeve, interesi i qytetarëve ka qenë minimal.
Rishpërndarja e bonove
Ministria e Financave do të lëshojë një udhëzim brenda muajit dhjetor, i cili do të përcaktojë procedurën e shpërndarjes së bonove të privatizimit individëve. Udhëzimi pritet të miratohet pas hyrjes në fuqi të ligjit për “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, informoi në Kuvend se ligji detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend.
Bëhet fjalë për të gjitha bonot e privatizimit të cilat janë investuar nga qytetarët në kompani që dështuan si Anglo-Adriatika. Të gjitha bonot do të kthehen me një procedurë që Ministria e Financave do ta përcaktojë. Çdo qytetar që disponon dokumentin që ka dorëzuar letrat e tij me vlerë tek Anglo-Adriatika, mund ta dorëzojë dhe të përfitojë sasinë e bonove që ai ka investuar. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ato kapin shifrën e 64 miliardë lekëve, të cilat janë shpërndarë para vitit ‘97. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Tashmë me miratimin e këtij projektligji nga Kuvendi i ri, bonot e privatizimit që nuk patën fatin e duhur edhe në kompani të tilla si Anglo-Adriatika, do të rivlerësohen.
Anglo-Adriatika
Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më i njohuri mbetet ai Anglo-Adriatika, në të cilin kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoren. Ligji i ri parashikon rigjallërimin e tregut të letrave me vlerë si ato të ish-të përndjekurve, bonot e privatizimit, lëshimin e obligacioneve nga kompanitë private, si dhe shitblerja e aksioneve në bursë. Parlamenti miratoi një vit më parë një ligj të ri “Për titujt”, që ka si objekt të bëjë aktivë titujt tregtarë që qarkullojnë në tregun aktual. Sipas specialistëve, ai do të përfshijë të gjitha stoqet dhe fondet e firmave në bursë. Sipas tyre, në këtë rast bëhet fjalë për letra me vlerë, të cilat, përmes këtij ligji të ri, do t’i nënshtrohen një skeme të re procedimi. Në atë ligj nuk u përfshinë letrat me vlerë të privatizimit, pikërisht ato që janë shpërndarë rreth 12 vjet më parë. Projektligji që kaloi një javë më parë në qeveri dhe udhëzimi i Financave, do të hapë këtë rrugë. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›