Ndryshimet në janar?

Të gjithë anëtarët e Kabinetit të Kryeministrit Hashim Thaçit - si ata të Partisë Demokratike të Kosovës ashtu edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës - mund të ndjehen rehat gjatë festave të fundvitit.
Askush nuk do t’i luajë nga postet që mbajnë tash e dy vjet.
Vetëm pas gjysmës së dytë të muajit janar, karriget e tyre do të fillojnë të luhaten.
Burime të Express, të afërta me Kryeministrin Thaçi, thonë se ndryshimet në qeveri do të ndodhin në fund të muajit janar.
“Pesë deri në gjashtë ministra planifikohet të ndërrohen”, ka thënë zyrtari i lartë i Kryeministrisë, që foli në kusht anonimiteti për Express, të enjten.
Ditë më parë, Kryeministri Thaçi paralajmëroi “ndryshime dhe freskime” në Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, prurjet e reja në ekzekutiv do të vijnë nga i gjithë spektri politik i vendit, por edhe nga shoqëria civile.
Ai tha se ndryshimet janë të domosdoshme.
Zyrtari i Kryeministrisë, që foli në kusht anonimiteti për Express, tha se ndryshimet do të prekin të dy partitë e mëdha që përfaqësohen në qeveri - PDK’në dhe LDK’në. Por, ai nuk ka mundur të saktësojë se cilat do të jenë kriteret bazë që do të ndiqen në rastin e shkarkimeve, por edhe emërimeve të reja.
Kësaj pyetjeje nuk ka mundur t’i përgjigjet as Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Nënkryetar i PDK’së.
Sipas tij, gjithçka do të vendoset nga Kryeministri dhe Presidenti.
“Kryeministri dhe Presidenti vendosin për çështjen e ndërrimit të ministrave”, ka deklaruar Kuçi për Express, të enjten.
E vetmja gjë e sigurt, sipas tij, është se ndryshimet nuk do të ndodhin në dy javët e ardhshme.
“Unë besoj se ndryshimet nuk do të bëhen në vitin 2009”.
Ndryshimet e mundshme në qeveri mendohet se do t’i tensionojnë raportet mes partnerëve të koalicionit aktual qeverisës, PDK’së dhe LDK’së. LDK duket se frikësohet që Kryeministri Thaçi mund të jetë selektiv për emrat që do të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve, duke prekur më shumë ministrat e LDK’së.
Kjo ka shtyrë zyrtarët e LDK’së që disa herë të deklarohen se çdo lëvizje duhet të bëhet në koordinim me strukturat udhëheqëse të kësaj partie.
“Për gjithçka duhet të konsultohet LDK”, ka deklaruar Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu, ditë më parë.
Zëvendëskryeministri Kuçi mendon se është ende herët të flitet se cila parti do të preket më shumë nga ky proces.
“Nuk mund të flas se cilat parti do të preken më shumë nga ndryshimet në qeveri. Për gjithçka vendos Kryeministri dhe Presidenti”, ka thënë ai.