Berisha nga Danimarka: Nuk i hap kutitë
Në një prononcim për BBC-në, Berisha u shpreh se nuk mund të shqyrtojë vendimin e gjykatave
TIRANË - Nëse për Partinë Socialiste zgjidhja e krizës është vetëm hapja e kutive të votimit, për PD-në kjo kërkesë është e kundërligjshme. Pas ftesës së zv.kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për tryezë, përgjigjes së PS-së se zgjidhja e vetme është vetëm hapja e kutive, ka reaguar edhe kryeministri Sali Berisha, i cili edhe pse është në Kopenhagen për një vizitë pune, ka shfrytëzuar një intervistë dhënë për BBC-në për të deklaruar sërish se nuk do të pranojë të hapë kutitë e votimit. Në këtë mënyrë, Berisha ka hedhur poshtë çdo mundësi për kompromis, ndryshe nga deklarata e Metës, që linte shteg për ndonjë lëvizje konkrete.
Duke folur për BBC-në nga Kopenhaga, ku po merr pjesë në Samitin për Klimën, Berisha tha se ai e inkurajon opozitën që të punojnë së bashku për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. "(Opozita)... ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare, duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal", - tha Berisha.
Kryeministri theksoi se nuk do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave. Edhe pse u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me opozitën, Berisha përjashtoi mundësinë e një kompromisi për kërkesën kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit.
"Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave. Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate", - tha ai.