E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nga Kombinati: Do të privatizojmë banesat tuaja

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje takime në periferi të Tiranës, ku shpalosi platformën elektorale për katër vitet e ardhshme. Kreu i PD-së, së bashku me kandidatët e kryeqytetit, u takua me banorët e Paskuqanit, Kamzës dhe Kombinatit. "28 qershori po vjen, unë ju ftoj të votoni 10-n. Ajo është nota e mundit dhe djersës suaj, e moralit dhe e karakterit tuaj, e dashurisë suaj për fëmijët, për njëri-tjetrin, për vendin, kombin. 10-a është më e mira, është e vërteta. Votoni 10-n, votoni Partinë Demokratike dhe keni votuar për Shqipërinë europiane", u shpreh Berisha. Nga periferia e kryeqytetit, kryetari i PD-së sulmoi rivalin e tij politik, kreun e PS-së Edi Rama teksa komentoi ditëlindjen e Partisë Socialiste, duke e cilësuar si ditëlindjen e 70-të të saj. "Rama votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Rama ndau tenderat dhe prandaj nuk e voton Tirana atë", tha Berisha. Nga kombinati, kreu i PD-së premtoi edhe legalizimin e banesave. "Ti gëzoni banesat tuaja. Sali Berisha do t‘i privatizoj ato. Asgjë s‘më pengon pa kompletuar privatizimin e tyre", tha ai. Më herët, kreu i qeverisë ishte në Përrenjas, ku premtoi se do të "ulim me pesë vjet moshën e pensionit të minatorëve". Kryeministri Berisha premtoi se kryefjala e programit të PD-së do të jetë punësimi, punësimi dhe vetëm punësimi. "Në Librazhd dhe në mbarë Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, do të ndërtohen mijëra kilometra rrugë, qindra e qindra ujësjellës e kanalizime. Në Librazhd dhe në mbarë vendin do të ndërtojmë qindra hidrocentrale, do të ngrihen gjashtë parqe industriale ndër më gjigantët në Mesdhe", u shpreh Kryeministri. Berisha përfitoi nga rasti të shprehet edhe për krizën ekonomike botërore, duke theksuar se "kriza botërore ekonomike është në kalim e sipër, ndaj tregu i tyre do të jetë një nga tregjet më kryesore të botës dhe ata që do të përfitojnë do të jenë zonat minerale të vendit". Më pas, kreu i qeverisë iu drejtua kryetarit të Bashkisë së Përrenjasit, duke i thënë "zoti kryetar i bashkisë, më sill urgjent projektet e nevojshme, sepse na ndajnë partitë, por na bashkon qytetari i Përrenjasit, na bashkojnë kushtet e jetesës së tij". "Ne, premtoi ai, do të financojmë në këtë zonë, Rrajcë dhe në fshatrat përreth të gjitha projektet për infrastrukturën më moderne". "Do të financojmë vaditjen, qoftë edhe me pikat e fushës së Domosdovës, ujësjellësin e Rajës dhe të gjithë ujësjellësit e kësaj zone", u angazhua Berisha.

Kryeministri shtoi se "ju jeni një qytet minierash dhe industrie mineralesh. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por vij prapë këtu që t‘iu premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të ulë me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t‘jua rris pensionet tuaja".

Berisha theksoi se u premton fermerëve shqiptarë se do të dyfishojë pensionet e tyre. "Unë ju premtoj fermerëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se në katër vite që vijnë, pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit. Unë nuk mund të pranoj fshat të dorës së parë dhe shqiptar të dorës së dytë. Jemi vëllezër, kemi derdhur lumenj djerse dhe do të përpiqemi të shpërblehemi gjithmonë e më shumë", insistoi Berisha. Kryeministri këmbënguli se në vitet e ardhshme nuk do të ketë qytetarë shqiptarë që të marrin nën 2 dollarë në ditë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›