Mjekët e nxjerrin nga spitali, vdes shqiptari
Një emigrant shqiptar ka vdekur papritur vetëm pak orë pasi i ishte nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor në spitalin e Kivasos në Torino të Italisë. 42-vjeçari, babai i një fëmije 8-vjeçar dhe një fëmije që do vijë në jetë pas 3 muajsh, kishte dalë nga spitali pasi mjekët i kishin thënë se gjendja shëndetësore ishte e mirë. Spitali i Kivasos në Torino ka hapur hetim për të gjetur përgjegjësit e vdekjes së një punëtori shqiptar. Xhevdet Agaj, 42 vjeç, vdiq të martën në mëngjes, ndërsa një ditë më parë i ishte nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor, pasi kishte ndjerë dhembje të forta në gjoks. Shqiptari kishte qëndruar i shtruar në pavijonin e urgjencës për 12 orë, ku i ishte nënshtruar të gjitha analizave, madje dhe radiogramës për të matur presionin e lartë të gjakut. Dy mjekë ishin kujdesur për shëndetin e tij dhe më pas ishte larguar drejt shtëpisë. "Nga rezultatet e hetimeve të para, për sa i përket shtrimit të tij në klinikë është provuar se janë kryer në mënyrë korrekte i gjithë kontrolli mjekësor - në këtë rast shqiptari kishte ndjerë dhembje në gjoks, dhe të gjitha protokollet janë ndjekur në mënyrë korrekte. Pacienti ka qëndruar për 12 orë në spital, është shtruar në repartin e urgjencës dhe është vizituar nga dy mjekë. Për verifikime të mëtejshme do të merren në pyetje edhe dy infermierë, të cilët janë kujdesur me pacientin", bëjnë të ditur hetuesit e ngjarjes për median italiane. Ndërkaq bëhet e ditur se është kryer autopsia e trupit të punëtorit shqiptar Xhevdet Agaj. "Çështja është ende për t‘u sqaruar", komenton avokati i familjes Agaj, Carmine Ventura, i cili dy ditë më parë kishte caktuar dhe një takim me mjekët ligjorë për të kuptuar shkaqet e vdekjes. Ai shtoi se nuk përjashtohet fakti që mund të jenë të nevojshme konsulenca të mëtejshme të specializuara.