Aksidenti i merr jetën një të riu
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur dje te kryqëzimi i Rinasit në aksin Fushë-Krujë-Vorë. Dy të rinj, që udhëtonin me motor, janë përplasur me një trajler, ngjarje që u ka shkaktuar plagë të rënda. Leonik Doda, 21 vjeç, dhe Harri Lleshi, 18 vjeç, kanë qenë duke udhëtuar në drejtim të Durrësit, kur nga pas janë përplasur nga trajleri. Dy të rinjtë janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku u është ofruar ndihma e specializuar mjekësore. Njëri prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë, ndërkohë që edhe gjendja shëndetësore e tjetrit është e rëndë. Konkretisht, policia shpjegoi se 18-vjeçari Harri Lleshi nuk ka mundur t‘i shpëtojë vdekjes, ndërsa mësohet se edhe shoku i tij, Leonik Doda, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Më tej, policia vuri në dukje se ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, por deri në orët e vona të mbrëmjes ende nuk ishte vendosur arrestimi i tij për shkak të vlerësimit të ngjarjes së rëndë.