Vjedhin paratë për bamirësi në maternitet
Hajdutët nuk kanë kursyer as një arkë me para, e cila ishte vënë në ambientet e maternitetit me qëllim për të mbledhur të ardhura për gratë në nevojë. Ajo ishte vënë aty prej kohësh dhe kur njerëzit kalonin dhe e ndjenin një veprim të tillë, hidhnin para brenda saj. Por, një gjë të tillë nuk kanë mundur ta bëjnë që prej dy ditësh, pasi hajdutët e kishin thyer atë dhe kishin marrë gjithë paratë brenda saj. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në bulevardin "Bajram Curri", në ambientet e maternitetit "Kiço Glozheni". Policia është njoftuar se aty është vjedhur me thyerje arka e qendrës së gruas "Konçita", ku kanë marrë 30 mijë lekë. Uniformat blu kanë bërë menjëherë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe janë munduar të fiksojnë gjurmë, por ende nuk e kanë zbuluar autorin e vjedhjes.