E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat e reja për 92 hetuesit e SHKB-së

Miratohen gradat e reja për Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Tashmë, 82 efektivët e kësaj drejtorie, të cilët merren drejtpërdrejt me zbulimin dhe procedimin penal të rasteve ku punonjësit e policisë abuzojnë me detyrën, do të njihen me gradat e reja të tyre, e në bazë të tyre edhe me pagat. Por, shumë shpejt me strukturën e re dhe pas miratimit të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, në organikën e SHKB-së do të shtohen dhjetë punonjës me gradë policore, pasi pjesa tjetër e saj nuk ka të tilla.

Në vendimin për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat e personelit hetues në SHKB të Ministrisë së Brendshme, deklarohet se me këtë është bërë barasvlefshmëria e gradave të vjetra policore me gradat e reja. Në sistemin e ri, ngritja në gradë bëhet sipas afateve dhe kritereve, të përcaktuara në nenin 69 të ligjit nr. 10002, datë 6.10.2008 "Për shërbimin e kontrollit të brendshëm, në Ministrinë e Brendshme". Më tej, në vendim shpjegohet se në funksionet e këshilltarit të drejtorit të përgjithshëm të SHKB-së mund të caktohet çdo punonjës nga personeli hetues, pavarësisht gradës që mban. "Gjatë periudhës në këtë funksion, punonjësi ka të drejtë të fitojë gradën pasardhëse, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara, i pakushtëzuar nga ekzistenca e funksioneve të lira për gradë", është shkruar në vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ka hyrë në fuqi prej pak ditësh.

Në tabelën e gradave deklarohet se si do të jetë edhe hierarkia e gradave, e cila nis nga asistent, që është grada më e ulët, deri te grada drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së. Punonjësi, i cili duhet të jetë hetues i SHKB-së, në çastin kur kalon në sistemin e ri të gradave, merr gradën që i korrespondon funksionit që kryen. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse në çastin e kalimit në këtë sistem gradash ka vjetërsi shërbimi më pak se dy vjet për gradën "Agjent", pesë vjet për gradën "Agjent i parë" dhe tre vjet për gradën "Hetues", duke përfshirë në të gjitha rastet edhe periudhën e arsimimit apo të trajnimit policor. E njëjta praktikë ndiqet edhe për gradat më të larta, ku duhen gjashtë vjet shërbim për gradën "Hetues i parë", nëntë vjet për gradën "Drejtues i SHKB-së" dhe 12 vjet, për gradën "Drejtues i parë i SHKB-së". Ndërsa për gradën "Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHKB-së" dhe "Drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së" duhen të paktën 15 vjet shërbim.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave shpjegohet më tej se për punonjësit ekzistues të SHKB-së, për tre vitet e para pas kalimit në sistemin e ri të gradave, afati i qëndrimit në gradë, për efekt të konkurrimit për ecje në karrierë, do të llogaritet nga data e marrjes së gradës së vjetër policore, kur grada e re është e barasvlefshme ose një më e ulët. Ndërsa për realizimin e procesit të kalimit në sistemin e gradave, sipas këtij vendimi do të ngrihet komisioni kalimtar, i cili shqyrton dokumentacionin dhe i propozon autoritetit, që ka në kompetencë gradimin, dhënien e gradave përkatëse punonjësve të SHKB-së. Përbërja, mënyra dhe nivelet e organizimit, të funksionimit, si dhe procedurat, që do të ndjekë komisioni kalimtar, përcaktohen me urdhër të ministrit. Komisioni përfundon së funksionuari pas realizimit të procesit të kalimit në sistemin e ri të gradave. Tashmë, puna i mbetet drejtuesve të SHKB-së, pasi vendimi shpjegon qartë se kalimi në këtë sistem gradash përfundon jo më vonë se tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Punonjësit e SHKB-së që do të punësohen në strukturat e Policisë së Shtetit, rifitojnë gradën policore të mbajtur më parë, të ekuivalentuar sipas ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›