E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nga Kroacia: Shqipëria, më afër BE-së

Kryeministri Sali Berisha është kthyer ditën e djeshme nga vizita në Kroaci, ku mori pjesë në Samitin e zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, i cili trajtoi çështje të procesit të zgjerimit të BE-së, zhvillimet në Evropën Juglindore në fushat e sigurisë, zhvillimit dhe prosperitetit të këtyre vendeve. Kryeministri Berisha është shprehur për mediat pas këtij samiti se Shqipëria është më afër Bashkimit Evropian, si dhe pavarësia e Kosovës dhe Malit të zi, ka shërbyer për një rajon më të sigurt. Në fjalën e tij gjatë këtij samiti, Kryeministri Berisha tha se zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore, integrimin në NATO dhe BE. Kryeministri e vuri theksin në reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal, duke u shprehur se në Shqipëri, klima e biznesit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Ai theksoi në këtë samit se ekonomia shqiptare është një ekonomi e re, e vogël, dinamike dhe entuziaste. “Ajo po ecën tani me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik në rajon e vazhdon të zhvillohet në një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm”, - ka deklaruar Berisha në Kroaci. Kryeministri zhvilloi takime me Ndihmës-Sekretarin e Zyrës për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë në Departamentin e Shtetit, Daniel Fried, me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, si dhe ministra, ambasadorë dhe personalitete të tjera të larta që merrnin pjesë në këtë samit. Gjatë samitit u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit ideja se që zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk duhet të lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës, ndërsa u vlerësua se ky proces është një arritje e madhe dhe e shpejtë e sukseseve të BE-së. Pjesëmarrësit në samit vlerësuan suksesin e reformave në vendet e Ballkanit dhe nënvizuan se vazhdimi i tyre është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian. Në Samitin e Kroacisë merrnin pjesë liderët kryesorë të rajonit, si dhe Ndihmës-Sekretari i Zyrës për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë në Departamentin e Shtetit, Daniel Fried, Sekretari i Shtetit të Kanadasë, zv.kryeministri i Çekisë, Alexander Vondra, ministri i Jashtëm i Suedisë, zoti Karl Bildt, Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, zoti David Daly, si dhe ministra, ambasadorë, përfaqësues të lartë të strukturave të NATO-s dhe BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›