Dritan Prifti: Berisha ka blerë Ramën, jo opozitën
Nënkryetari i LSI-së, deputeti Dritan Prifti, ka akuzuar dje Kryeministrin Sali Berisha për premtime të pambajtura. Ai ka bërë një kritikë të përgjithshme ndaj qeverisë, por është kapur dhe në disa aspekte të saj, si heshtja ndaj grevës së minatorëve dhe problemet me ujin dhe dritat. Ndërkohë Prifti mendon se kjo qeveri nuk duhet të jetë e qetë vetëm sepse sipas tij ka blerë Edi Ramën, pasi LSI-ja do të vazhdojë opozitën e saj. “Qeveria premtoi para disa muajsh që nuk do kishim absolutisht më mungesa të energjisë elektrike në vend, që të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, brenda këtij viti do të kishin drita 24 orë. Nuk mund të ecet kaq gjatë me mashtrime. Ne kemi filluar t’i ndiejmë kufizimet e energjisë elektrike çdo ditë në shtëpitë tona”, - tha Prifti. Ndërkaq sipas tij problemet e ujit po ndihen në të gjithë Shqipërinë. Ai u shpreh se “është shkarkuar drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, sikur faji është i një drejtori të ujësjellësit. Faji është se në Shqipëri nuk ka qeverisje, nuk ka qeverisje për minatorët, nuk ka qeverisje për naftëtarët, nuk ka qeverisje për ujë dhe për drita. Nuk ka qeverisje as për rrugë”. Ndërkaq duke mos harruar që në akuzat e tij të përfshijë dhe ish-aleaten socialiste Prifti thekson: “Mos të kujtojë zoti Berisha, që duke blerë lidershipin e Partisë Socialiste dhe duke i bërë ata bashkëpunëtorë dhe nënkontraktorë të tij, nuk do të flasë askush për ato që bën ai. Të mos mendojë Berisha se i ka zgjidhur problemet e këtij vendi, duke amortizuar Edi Ramën dhe një pjesë të Partisë Socialiste”. Prifti garanton se LSI-ja do të vazhdojë të ngrejë këto probleme dhe shqetësime të qytetarëve dhe ne do vazhdojmë t’i tregojmë qeverisë që ka marrë vota për të qeverisur dhe nuk ka marrë vota vetëm për të mashtruar qytetarët shqiptarë.