PD dhe PS përplasen për TVSH-në
Leksaj: Qeveria ka uzurpuar Televizionin Publik
Karapici: Opozita po bllokon ligjin për transmetimet televizive
Opozita dhe mazhoranca kanë shënuar përplasjen e radhës për Televizionin Publik Shqiptar, për të cilin PS-ja akuzon qeverisë se po e mbikëqyr. Ndërkohë PD-ja ka akuzuar pikërisht PS-në për vonesat në miratimin e një ligji që rregullon transmetimet televizive. Valentiana Leskaj, kryetare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht dhe kryetare e Komisionit të Mediave, tha dhe se një situatë alarmante është krijuar në Televizionin Publik Shqiptar, i cili sipas saj është vënë tërësisht në shërbim të PD-së e veçanërisht të kryetarit të saj. Duke folur para mediave ajo ka cituar për këtë akuzë pjesë nga raporti i KKRT-së. “Një institucion i pavarur, KKRT-ja, që e ngarkon ligji për të monitoruar kohën televizive sipas subjekteve, ofron një raport skandaloz. Sipas të dhënave të raportit në fjalë, Kryeministri dhe qeveria, në edicionet informative zënë gati 2.5 herë më shumë kohë se opozita dhe bashkë me PD-në gati 4 herë më shumë”, - tha Leskaj. Më tej ajo shtoi se “vetëm Berisha merr më shumë se dyfishin e kohës së gjithë opozitës ose 3 herë më shumë se Parlamenti. Në Radio Tirana opozita merr 5 herë më pak kohë se mazhoranca”. Ndërkohë kreu i grupit të PS-së nuk merret vetëm me lajmet, por dhe programet jashtë edicionit informativ. Sipas saj, “mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së, bëhen emision special”. Por Leskaj nuk është ndalur vetëm te koha që i kushtohet një partie apo qeverisë duke vërejtur se ka dhe një problem tjetër që sipas saj është manipulimi i lajmeve. Madje PS-ja këtë radhë ka marrë përsipër të bëjë dhe avokatin e Presidentit Bamir Topi, pasi sipas saj “manipulimi ka ndodhur jo vetëm me opozitën, po edhe me Presidentin e Republikës, të cilin ose e radhisin nga fundi i lajmeve ose nuk e japin deri në raste të linçimit të tij”.
Kundërpërgjigja e PD-së
I shpejtë ka qenë reagimi i PD-së dhe pikërisht i kolegut të Leskajt në Komisionin parlamentar të Mediave, deputetit Gëzim Karapici. Ai i ka kujtuar opozitës se për faj të saj nuk është miratuar ligji që rregullon transmetimet televizive. Nënkryetar i Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Gëzim Karapici, tha dje se "opozita po mban peng ligjin 'Për transmetimet radiotelevizive'". Duke reaguar ndaj deklaratave të kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, vuri në dukje përgjegjësinë e saj për këtë ligj, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. "Si kryetare e komisionit, znj. Leskaj nuk i takon të dezinformojë opinionin publik lidhur me bllokimin e ligjit "Për transmetimet radiotelevizive" dhe nuk mund të anashkalojë përgjegjësinë e saj për të", - u shpreh deputeti demokrat. "Mbetem i habitur se në komision ka pasur një qëndrim mjaft luajal për këtë çështje dhe znj. kryetare, për "harresat" e saj, me ose pa dashje, mendoj se është pjesë e vonesës dhe e mbajtjes peng të ligjit", - u shpreh Karapici. Ai siguroi se "asnjë anëtar i mazhorancës në komision nuk ka konflikt interesi për plotësim standardesh të kërkuara nga TV-ja. Nëse ne i referohemi kryetares Leskaj, ajo i di shumë mirë përpjekjet e mazhorancës për hartimin e një ligji integral "Për transmetimet televizive'".