Bushati: PS ka në qendër fshatin
Nënsekretari për programin politik në PS, Ervin Bushati, deklaroi ditë e djeshme në një konferencë për shtyp se programi i Partisë Socialiste ka në qendër të tij përmirësimin e jetës në fshat. “Programi i ri i kësaj force politike ka në qendër të tij bujqësinë dhe përmirësimin e jetës në fshatin shqiptar. Shqipëria ka sot produktivitetin bujqësor më të ulët në Evropë. Një studim i fundit i BB-së mbi bujqësinë në Shqipëri tregon se fshatari shqiptar është 3 herë më i varfër se fqinji i tij në Maqedoni. Mungesa e metodave dhe infrastrukturës moderne kanë bërë që të hasen probleme të rënda në burimet e prodhimit, ndërkohë që nuk po ofrohet asnjë strategji për ta nxjerrë nga gjendja e pashpresë në të cilën ndodhet”, - tha Bushati. Sipas tij, politika aktuale e qeverisë ka lënë në hije zhvillimin e bujqësisë, si dhe njerëzit që jetojnë në zonat rurale të vendit.