Hapja e dosjeve, sot nis shqyrtimi i nismave ligjore
Ditën e sotme pritet të nisë diskutimi i nismave ligjore për sa i përket hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Aktualisht në Kuvend janë depozituar pesë nisma ligjore për këtë çështje, të cilat do të diskutohen. Ajo që është konfirmuar paraprakisht është se brenda muajit korrik, njëra nga nismat ligjore do të kalojë dhe do të miratohet në Kuvend. Partia më e madhe e mazhorancës do të paraqitet me dy propozime që kanë ndryshime thelbësore për sa i takon hapjes së dosjeve në vend, si dhe një nisme tjetër ligjore është paraqitur nga deputeti Biberaj. Propozimi zyrtar i bërë në vitin 2006 nga ish-kryetari i grupit parlamentar të kohës, Bamir Topi, dhe ai i deputetit Aleksandër Biberaj, ndahen për sa i takon përjashtimit ose jo të deputetëve, në rast se ata identifikohen si ish-bashkëpunëtorë të regjimit komunist. Në vitin 2006, Bamir Topi parashikonte në nenin 18 të draftit të tij se kandidatët për deputetë, apo kandidatë për kryetarë komune, apo bashkie, i nënshtrohen verifikimit të figurës, vetëm pasi të jenë shpallur fitues. Ndërsa sot dy vjet më vonë deputeti tjetër demokrat Biberaj i ngarkuar nga kryetari demokrat dhe Kryeministri Berisha përgatiti një projektligj ku asnjë nga zyrtarët shtetërorë, përfshirë edhe ligjvënësit nuk përjashtohen nga hapja e dosjeve, nëse ata e kanë një të tillë. Në Kuvend ndodhet edhe një nisëm e re e gjashtë deputetëve të tjerë të PD-s, e cila u depozitua ditën premte. Njëkohësisht do të diskutohen edhe projektligjet e PDK-së dhe PS-së.