Shqipëria, të mërkurën anëtare e NATO-s
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, do të udhëtojë ditën e mërkurë në Bruksel, ku do të nënshkruajë Protokollin e Anëtarësimit të Plotë të Shqipërisë në NATO. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare në Ministrinë e Jashtme. Protokolli i Anëtarësimit në NATO nënkupton hapin e fundit zyrtar që vendi të marrë në 60-vjetorin e NATO-s në mars të vitit 2009, statusin e anëtarit me të drejta të plota në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Schefer, është shprehur optimist për reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Kroacia, në kuadër të anëtarësimit të plotë të tyre në strukturat e NATO-s. Në këtë kontekst, skretari i Përgjithshëm i Aleancës është shprehur se NATO po bashkëpunon me Shqipërinë në një sërë fushash, duke shtuar se deri në datën 9 korrik të këtij viti mund të nënshkruhet edhe protokolli i anëtarësimit të plotë. Aleanca e Atlantikut të Veriut ka vlerësuar maksimalisht përpjekjen e Shqipërisë për të përmbyllur marrëveshjen me vendet e NATO-s për finalizimin e anëtarësimit të plotë në këtë aleancë. “Bisedimet për anëtarësimin e dy vendeve të ftuara nga ana jonë, Shqipërisë dhe Kroacisë po ecin mirë. Qëllimi ynë është që protokollet e anëtarësimit të plotë të dy vendeve të nënshkruhen më 9 korrik. Shpresoj gjithashtu, që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë të bashkohet me ne pas bisedimeve për çështjen e emrit. Hapi tjetër do të jetë procesi i ratifikimit pa asnjë vonesë”, - është shprehur pak kohë më parë sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Schefer. Gjithashtu, ai ka theksuar se NATO është duke bashkëpunuar në fusha të ndryshme me Shqipërinë, duke e vënë theksin në reformat e sektorit të mbrojtjes dhe në sektorin e sigurisë, duke ofruar mbështetje të fuqishme për reforma të tjera demokratike dhe institucionale. Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën e anëtarësimit në NATO gjatë Samitit të Aleancës në Bukuresht në fillim të muajit prill. Vendet anëtare të aleancës vlerësuan se këto dy vende kanë bërë progres në implementimin e të gjitha reformave të kërkuara, duke përmbushur në këtë mënyrë standardet që një vend kandidat duhet të plotësojë për t’u bërë pjesë e NATO-s.