Berisha nga Pogradeci: ”Qytetarë, na ndihmoni të luftojmë korrupsionin”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së djeshme të tij në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve shqiptarë për të arritur efektivitet në luftën kundër korrupsionit. Kreu i maxhorancës tha më tej se lufta ndaj korrupsionit është më jetike se kurrë, por gjithsesi rezultatet e saj nuk mund të krahasohen me qeveritë paraardhëse. Sipas tij, Shqipëria nuk u pranua në NATO, siç duan ta paraqesin disa, se kemi një pozicion strategjik, pasi në kohën tonë ato janë krejt të ndryshme nga çfarë ishin 40 apo 50 vjet më parë. “Nuk u pranuam në NATO as për interes të rajonit, por ne i dëshmuam vendeve të NATO-s në 15 vjet një bashkëpunim të pacenueshëm. U pranuam mbi të gjitha sepse Shqipëria ndërmori këto vitet e fundit reformat më të thella, së pari në luftën ndaj krimit të organizuar. NATO-ja është aleanca e sigurisë dhe nuk mund të pranohesh në këtë Aleancë nëse nuk ke standarde të sigurisë, nëse krahina dhe zona të vendit sundohen nga banda dhe kriminelë”, - tha Berisha. Ai tha se Shqipëria u pranua në NATO sepse dha dëshmi të qarta që është e vendosur të luftojë korrupsionin. Duke pranuar disa herë gjatë fjalës së tij ekzistencën e korrupsionit, Berisha përmendi reformat e ndërmarra deri tani për luftën ndaj këtij fenomeni. “Kemi shkurtuar shpenzimet operative në rreth 110 milionë euro, por kjo s’do të thotë se nuk ka korrupsion”, - u shpreh Berisha. Sipas tij, e rëndësishme në këtë proces është vullneti për të luftuar këtë fenomen dhe sot ne nuk kemi ministra në konflikt interesi apo që zotërojnë monopolet. “Roma nuk është ndërtuar në një ditë, ndaj dhe beteja me korrupsionin nuk mund të fitohet në një ditë”, - tha Berisha.
17 Maj 2008