Reforma në Drejtësi, si parashikohet të jetë Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë dhe Prokuroria
Erald Kapri
Reforma në Drejtësi tashmë ka marrë një pikë konkrete. Deputetët e të dyja palëve po konsultojë ndryshimet, të cilat pritet të diskutohen në Komisionin e Ligjeve. Politika duket se është “dashuruar” nga Spanja pas miratimit të sistemit zgjedhor spanjoll. Reforma në Drejtësi, që është ndërmarrë në Spanja në vitin 2001, pritet që të jetë e njëjta në thelb edhe në vendin tonë. Konsensusi politik mes palëve do të ketë qëndrime të njëjta përsa u përket ndryshimeve në të gjithë sistemin e Drejtësisë në vendin tonë. Sipas diskutimeve paraprake, do të ketë ndryshim që nga kompetencat e gjykatave supreme në vendin tonë e deri te mënyra e funksionimit të administratës gjyqësore. Rreth një muaj më parë Parlamenti miratoi ligjin për funksionimin e sistemit gjyqësor, por nisma do të ecë më tej. Ndryshimet do të prekin shpërblimet e administratës gjyqësore, sekretarëve të Gjyqësorit, Prokurorisë, Parimet Statusore, karrierën e gjyqtarëve, kompetencat e gjykatave në Shqipëri, mënyrën e financimit të sistemit, ligjin e gjykimit penal, avokatinë, noterinë e deri në konferencën e gjyqtarëve.
Gjykatat supreme
Reforma do të prekë mënyrën e funksionimit të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese në vendin tonë. Sipas diskutimeve paraprake pritet të ndryshojë mënyra e apelimit të Gjykatën e Lartë duke afruar rregullimin e tij në ligjet e ndryshme rregulluese të procesit dhe duke i kushtuar vëmendje nocionit të “interesit kasacional”. Do të modifikohet apelimi i rishikimit, në mënyrë që Gjykata e Lartë të dëgjojë ekskluzivisht apelimet e rishikimit ndaj vendimeve të prera të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të vetë Gjykatës së Lartë. Sipas diskutimeve pritet që të miratohen përmirësime në Ligjin Organik të Gjykatës Kushtetuese, që do të bëjnë të mundur fuqizimin e saj me më shumë efikasitet dhe zhdërvjellëti si interpretuese e lartë e Kushtetutës dhe gjithashtu si garante e të drejtave dhe lirive themelore të konstatuara në të.
Shpërblimet
Parashikohet që në Kuvend të kalojë një projektligji i veçantë shpërblimesh dhe kjo doli si nevojë në momentin që Komisioni i Ligjeve diskutonte projektligjin për organizimin e sistemit gjyqësor. Në projektligj do të përcaktohen dhe rishqyrtohet sistemi i shpërblimit, duke artikuluar një model nxitës që garanton pavarësinë ekonomike dhe inkurajon formimin, rendimentin dhe marrjen e përgjegjësive. Për personelin që është në shërbim të administratës së Drejtësisë do të ketë formula shpërblim më fleksibël, që përfshijnë kriteret e parashtruara edhe me grupet e interesit.
Disiplina
Reforma pritet që të vendosë një sistem të arsyeshëm përgjegjësish, ndalimesh dhe papajtueshmërish me garanci të plota objektivizmi dhe respektimi të pavarësisë së gjyqtarëve dhe magjistratëve. Do të ndërhyhet në regjimin e përgjegjësive që rrjedhin nga veprimtaria gjyqësore apo nga funksionimi anormal i shërbimit. Parashikohen të studiohen formula për ndreqjen e dëmit të shkaktuar nga funksionimi anormal, gabimi apo neglizhenca e të gjithë atyre që janë pjesë e sistemit të Drejtësisë. Pritet të ndryshojë regjimi i disiplinës duke rishikuar kuadrin e shkeljeve dhe sanksioneve, sistemin e apelimeve dhe kompetencën për të zgjidhur gjyqin. Do të ndryshojë dhe fuqizohet inspektimi dhe do të futen metodat e analizës dhe auditimit operativ.
Prokuroria
Në institucionin e Akuzës do të ketë një reformim përsa i përket Statusit të saj Organik dhe Rregullores së brendshme. Reforma parashikon afate kohore në këtë institucion për çdo çështje, përcakton hierarkinë si dhe do të rishihen funksionet e Sekretarisë Teknike dhe Inspektoratit të Prokurorisë. Përsa i përket statusit të prokurorëve pritet që të një regjim të ri për karrierën e prokurorëve, formimit, specializimit, regjimit të shpërblimeve në mënyrë që meritat e punës së bashku me vjetërsinë në profesion të jetë përcaktuese në ngritjen në detyrë dhe nivelit të shpërblimit.
Sekretarët gjyqësorë
Reforma parashikon ripërcaktimin e funksioneve të sekretarëve gjyqësorë. Ata do të përbëjnë një trupë të vetëm kombëtare funksionarësh teknikë të lartë që do të jenë vartës të Ministrisë së Drejtësisë. Do të fuqizohet roli i tyre duke shfrytëzuar aftësinë dhe formimin e tyre duke bërë për rrjedhojë reformën e Statusit të tyre. do t’u krijohen kompetenca të reja sekretarëve gjyqësorë, duke bërë ripërkufizimin e aktit publik gjyqësor që ta bëjë të pajtueshëm me futjen e teknologjive të reja. Do t’u jepen kompetenca për mbarëvajtjen procedurale për të zhvilluar formalitetet ku të mos jetë e detyrueshme ndërhyrja e gjyqtarit. Njëkohësisht do të fuqizohen funksionet e Përmbarimit nëpërmjet realizimit të pasurive dhe juridiksionit vullnetar. Sekretarët gjyqësorë pritet të ketë funksione drejtuese për shërbimet e përbashkëta duke krijuar për këtë qëllim vendet e sekretarit të qeverisë dhe të sekretarit koordinues.
17 Maj 2008