Berisha ngjit Dajtin ne kembe, u jep fund pushimeve
Kryeministri Sali Berisha e ka kaluar fundjavën ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim. Kësaj here kreu i qeverisë nuk ka shkuar në Dhërmi, siç ka bërë fundjavave të fundit, por ka preferuar klimën malore, malin e Dajtit. Ditën e djeshme, i shoqëruar nga familja e tij, Kryeministri Berisha është ngjitur deri në majën më të lartë të malit, atje ku ndodhen edhe antenat. Pavarësisht se të shkosh deri në këtë pikë duhet rreth 1 orë rrugë më këmbë, për shkak se makina nuk shkon dot, Kryeministri së bashku me të birin e kanë përshkuar këtë rrugë për të vështruar me dylbi kryeqytetin. I veshur me pantallona të shkurtra, si eksploratorët anglezë të natyrës, por me mëngë të gjata për t’u mbrojtur nga i freskëti i malit, Kryeministri ka vëzhguar me dylbi Tiranën ditën e diel. Smogu në kryeqytet duket se ka qenë i vetmi shqetësim që Kryeministri shfaqi në Dajt. Surpriza më e veçantë ishte për dy njerëz të thjeshtë, inxhinierin e antenave dhe rojën e objektit, të cilët në oborrin e tyre ndien praninë e Kryeministrit shqiptar. Pavarësisht se fillimisht dy punonjësit e kullës së antenave nuk e njohën Kryeministrin shqiptar, duke e marrë për një turist të zakonshëm të huaj, Kryeministri ka trokitur në derën e tyre. Dy punonjësit e habitur por edhe të surprizuar, ftuan Berishën për të pirë kafen e kohës së drekës. Kreu i qeverisë, së bashku me të birin, pranuan këtë ftesë dhe së bashku me dy punonjësit biseduan mbi punën e qeverisë si dhe pinë kafe turke. Në praninë e tyre, Berisha tha se e diela e djeshme ishte dita e fundit e pushimeve të tij. Ndonëse Kryeministri nuk ka bërë pushime të gjata, ai tha se “vera ka karikuar energjitë e mia”.