E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama kryetar në qendër, Shalsi në periferi

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kryetarin e bashkisë, Edi Rama, se ka neglizhuar punët në periferi të Tiranës, çka ka sjellë dhe mosrealizimin e premtimeve të bëra. Berisha e quajti kryetar qendre, teksa evidentoi se Rama ia ka lënë të gjitha punët Eduard Shalsit, kurse vetë merret me punët e partisë. Këtë deklaratë Kryeministri e bëri nga Farka, ku Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Uzina e Traktorëve-Farkë e Madhe, investim ky i buxhetit të shtetit dhe komunës me vlerë 64.7 milionë lekë, si dhe inspektoi punimet në shkollën 9-vjeçare të komunës. Gjatë inaugurimit, Berisha shigjetoi Ramën duke i bërë thirrje të marrë shembull nga ndërtimi i kësaj vepre. “1/3 e kësaj rruge i shtron komuna, kurse 2/3, Bashkia e Tiranës. Ndërkohë kryetari kujdeset vetëm për qendrën dhe për të nuk ekziston periferia e Tiranës. Komunat përreth rregullojnë rrugët e Tiranës, ndërkohë që duhet të ekzistojë e kundërta”, - theksoi z. Berisha. Sipas tij, “Rama është kryetar qendre, nga selia tek bashkia, nga bashkia tek selia, pastaj ia ka lënë Shalsit”. Por interesit të gazetarëve për abuzimet me pronat në Komunën e Farkës, një denoncim që është bërë nga vetë Kryeministri muaj më parë, ai iu përgjigj vetëm me deklaratën se “është koha për inaugurime”. Lidhur me punimet në infrastrukturë, Berisha ka përshëndetur iniciativën e Komunës së Farkës. “Mirësia i mbetet atij që e bën punën”, - tha ai. Berisha në Farkë shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe kryetari i Komunës së Farkës, Bardhi Plaku. Po dje, Kryeministri inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare të Farkës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 49 milionë lekë. Kryeministri theksoi se arsimi është përparësi absolute e kësaj qeverie, dhe se janë ndërtuar 149 shkolla, janë konstruktuar 450 të tjera dhe se po vazhdon me shpejtësi ndërtimi i shkollave të reja dhe rikonstruktimi i atyre ekzistuese në të gjithë vendin. Berisha siguroi banorët e zonës se qeveria e tij është e vendosur të luftojë dhe të punojë çdo ditë për zgjidhjen dhe lehtësimin e problemeve që ata kanë. “Do të urbanizojmë Farkën, këtë bukuri mahnitëse të natyrës shqiptare që në fakt gjënë më të bukur që ka, ka banorët e saj, punëtorë e të ndershëm. Edhe njëherë do të vijmë në inaugurimin e kësaj shkolle dhe marr përsipër se do ta pajisim me mjetet më moderne, siç e meritojnë fëmijët tuaj”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Vizita e djeshme e tij në Farkë u bë në vijimësi të turit “Shqipëria po ndryshon”. Kryeministri inauguroi edhe përfundimin e punimeve të rrugës me gjatësi 1.2 km e me vlerë 23 milionë lekë, nga reparti i tankeve në lagjen “Musabal”. Gjithashtu, ai inspektoi punimet në rrugën nga depoja e ujit në fshatin Cellak, investim me vlerë 27 milionë lekë, 2/3 e së cilës i përket Bashkisë së Tiranës, ndërsa 1/3, Komunës Farkë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›