E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot rinis debati për hapjen e dosjeve

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të rinisin ditën e sotme diskutimet zyrtare në lidhje me projektligjin për pastërtinë e figurave, ose siç njihet ndryshe ligji i “dosjeve”. Ditën e sotme nis punimet Komisioni i Ligjeve, dhe në pikën e parë të axhendës së tij është vendosur diskutimi i draftit të deputetit të PD-së, Aldo Bumçi. Pavarësisht se PS-ja ka mbajtur një qëndrim të mbështetur në parime të përgjithshme, duket se në diskutimet informale ka pasur disa kushte nga ana e partisë më të madhe në opozitë. Ajo që konfirmohet është fakti se ligji ka për t’u miratuar dhe një gjë të tillë duket se e ka pranuar edhe PS-ja. Kjo e fundit duket se ka kërkuar një kompromis të hapur, i cili është mosprekja e mundësisë për të garuar sërish të politikanëve aktualë brenda opozitës. Projektligji i Bumçit largon direkt nga politika disa funksionarë dhe ligjvënës të opozitës. Duket se në këtë pikë, PS-ja ka kërkuar që ligji për dosjet të vendosë përballë kësaj “site” të gjithë politikanët e ardhshëm. Sipas PS-së, të gjithë personat që kanë dalë të pastër nga komisioni “Bezhani”, nuk duhet të riverifikohen. Në këtë pikë, PD-ja duket se nuk ka lëshuar pe. Burime pranë Komisionit të Ligjeve shprehen se drafti i deputetit Bumçi ka për t’u miratuar i plotë, me përjashtim të ndonjë vërejtjeje, që mund të lindë gjatë diskutimeve. Një pikë e prekur e debatuar është edhe fakti që PS-ja kërkon që mandati i të zgjedhurve të mos ndërpritet, në rast se figura e tyre është “e njollosur”, duke kërkuar që të mbarojë legjislatura aktuale. Kjo pikë duket se do të pranohet nga PD-ja vetëm për pjesën e Kuvendit, jo për funksionet e tjera shtetërore. Burimet shprehen se edhe ligji do të kërkojë kohën e vet për të vënë në funksion rolin e tij. Ngritja e Komisionit të Verifikimit të Figurave, sipas burimeve, do të kërkojë kohën e vet, duke lënë si të përshtatshme si kohë veprimi fillimin e legjislaturës tjetër. Ndërkohë drafti i deputetit Bumçi prek pothuaj të gjithë majën e piramidës shtetërore, si dhe funksionarëve të zgjedhur me votë. Subjekti i verifikimit, sipas këtij projektligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës; deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c: Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiake etj.

OSBE ka premtuar ndihmesë për ligjin e dosjeve

Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka premtuar ndihmë për deputetët në lidhje me gjetjen e një konsensusi për miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve. OSBE-ja është shprehur se mund të ndërhyjë në këtë rast, vetëm në qoftë se ligjvënësit shqiptarë kërkojnë ndihmë. Sipas prezencës së OSBE-së, e rëndësishme në këtë proces është miratimi me konsensus i ligjit, si dhe realizimi i debateve të gjalla në mënyrë që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë dhe mos të rikthehet në të ardhmen. Hartimi i një ligji të tillë ka mbetur pezull për shkak të mbylljes së sesionit parlamentar, por do të rifillojë në mesin e muajit shtator, kur të fillojë punimet Kuvendi. OSBE-ja do të monitorojë debatin, si dhe rezultatin që do të konkretizohet në miratimin e një ligji të tillë specifik, por ka për të reaguar në rast se prezenca e OSBE-së në Shqipëri vëren se diçka nuk shkon mirë. “Prezenca e OSBE-së dëshiron të përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj se i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht, kur ka të ngjarë që të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të atillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultim me ekspertë, grupe të interesit dhe publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend”, - ka deklaruar Robert Bosch.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›